10 arsye për ta dashuruar fshatin
Gjatë vizitave të shumta nëpër fshatra, pyetjet që më bëjnë më shpesh janë se çfarë më lidh mua me fshatin apo çfarë mendimi kam unë për fshatin. Kur unë them se më pëlqen jeta në fshat dhe se po të kisha pak më shumë lekë do jetoja në fshat, askush nuk e merr seriozisht. Më thonë se nuk ka më arsye që njerëzit të jetojnë në fshat. Ashtu siç përpiqem të ndaj ndjenjat e mia me ta, po i ndaj dhe me ju 10 arsye për tu dashuruar me fshatin dhe për të zgjedhur për të jetuar aty.
1-Fshati është i qetë dhe i paqtë– qytetet e medha janë të zhurmshme. Sigurisht ciçërimat e zogjve nuk mund ti ndalojmë, por nuk krahasohen me zhurmat e makinave në qytete.
2-Mundësitë e transportit kanë ndryshuar. Një nga arsyet se pse njerëzit janë larguar nga fshatrat janë të tilla si mungesa e shkollave, mungesa e mundësive të reja, mungesa e alternativave të punësimit etj. Tashme një pjesë shumë e madhe e familjeve kanë një makinë e cila shkurton rrugën për në shkollë, shkurton rrugën për në punë. Kështu edhe duke jetuar në fshat, fëmijët mund të ndjekin shkollat që duan dhe prindërit punët që dëshirojnë në një qytet apo fshat të afërt.
3-Fshati jep mundësi të reja punësimi. Hapja e bizneseve të reja në fshat është një alternativë shumë e mirë. Largimi i shumë familjeve nga fshati, moshimi i popullsisë dhe heqja dorë nga punët e bujqësisë, jep mundësi për hapjen e bizneseve të reja, inovatore në këtë fushë. Duhet pak pasion, ose traditë familjare, ose vendosmëri dhe ka skema mbështetëse për të lehtësuar investimin në fshatra.
4-Rriten fëmijë të lumtur– Kujtoni pak se si ishte fëmijëria juaj, se cilat ishin aktivitetet më të bukura. Do të dëshironit të njëjtën gjë për fëmijët tuaj? Pra më shumë aktivitete jashtë, fëmijë më aktivë, më të shëndetshëm, që njohin natyrën dhe veten e tyre më mirë. Shkurt fëmijët do të qëndrojnë më pak përpara televizionit dhe kompjuterit.
5-Mund të kesh një hapësirë shumë të madhe në shtëpi dhe jashtë saj. Për të gjithë ata që pëlqejnë hapësirën, oborret e mëdha, bimët, kafshët, një shtëpi në fshat është zgjidhja e duhur.
6-Jetesa është shumë më e lirë. Biem dakord që jetesa është aq e shtrenjtë sa ti e dëshiron, por një pjesë e madhe e aktiviteteve në fshat janë falas, ndërsa në qytet falas është vetëm ecja.
7-Cilesia e ushqimeve. Në fshat ke fatin e mirë që mund të rrisësh ushqimin tënd: mund të rrisësh frutat dhe perimet dhe pulat, kecat, lopët, qengjat. Edhe nëse koha nuk të premton për të gjitha, me siguri komshiu yt do të ketë dhe mund ti blesh aty. Në fund të ditës ti e di se çfarë po ha.
8- Niveli i ulët i stresit. Ka studime të ndryshme që provojnë se jetesa në fshat ka më pak stress. Lidhja me natyrën ka ndikim të madh në nivelin e stresit.
9-Niveli i ndotjes është më i ulët.
10-Le ta pranojmë: Fshatrat janë më të bukur se qytetet. Është e pamundur të mos ndjesh kënaqësi dhe paqe kur sheh male, fusha, lumenj, liqene, ujëvara, burime, pemë, lule, shpend …
Nga Klarida Bregaj