Xha Rustemi
Xha Rustemi ka një qoshkë ku shet ca kopshtaje. Dimrit zë vend në një hyrje pallat, 20m më larg tezgës së vogël që t’i shpëtojë erës acar. Aty mori dhe ftomë saqë edhe në gusht nuk e heq fanellën e leshit e xhaketën e trashë.
Shpesh nuk e gjej tek vendi sepse zë shtratin i sëmurë. Ndonjëherë ndodh që ngarkon plaçkat i përzënë nga policët. Nuk çuditem nga shpatullgjërët që kryejnë detyrën pakundërshti porse veç me sistemin i cili po na bëhet gangrenë përditë nga urdhërzbatuesit: ”tigra para lepujve e lepuj para tigrave”.
-Eh, a vllai xhait, -m’u desh të punoj edhe pse kalova të 80-tat. Para 8 viteve humba gruan e im bir u shua nga lekët për ta kuruar në Itali. S’ia duallëm dot. Në vend të rrija rehat këtë kohë që më mbeu, duhet të ndihmoj djalë që m’u gjet në ditë të liga. Kështu ma thotë zemra! –më dëftoi njëherë kur e pa se isha me pak nge e nuk isha me vrap.
Nuk dija se ç’t’i thoja veçse një përgjigje të thatë e dëshirës për t’iu vjedhur turavrap atij. Për t’i ikur larg e shpejt. Une e di se gjithnjë më përcjell me sy prindëror teksa mbërrij në makinë e derisa marr kthesën e pallatit. Gjithë kjo distancë që m’u duk sa gjithë Saharaja. E bërë në këmbë e në zhegun e verës, sikur veshur me rrobat e tij të trasha, edhe me atë fanellën e leshtë të ftomës.
Pas çdo sipërmarrje të vogël si kjo dhe të ngjashme familjare ka një histori përpjekjesh e sakrificash për të përmbushur nevoja bazike të familjes, ka aq motive kuptimplote për t’i bërë jetës ballë plot dinjitet e nder. Ndaj një blerje sado e vogël është një kontribut i vyer i një kauze për të cilën gjithnjë një familje lufton fort edhe nëse ju shërbehet në trotuar, në pamundësi për një vend të hajrit.