Burimet e të ardhurave në agroturizëm
Agroturizmi po promovohet si një mënyrë për të gjeneruar të ardhura shtesë për fermat dhe ka shumë mënyra për të gjeneruar shitje. Shtimi i shërbimeve turistike do të shërbente si strategjidiversifikuese për fermat, duke kontribuar në prurje më të qëndrueshme të të ardhurave. Ky seksion përshkruan burimet potenciale të të ardhurave për destinacionet e agroturizmit. Informacioni i paraqitur i referohet pjesërisht një studimi të kryer nga Ochterski dhe Roth (2008) dhe është përshtatur me kontekstin shqiptar.
#1. Tarifa e akomodimit
Akomodimi është një shërbim i rëndësishëm për një përvojë gjithëpërfshirëse agroturizmi.
Njësitë e reja të agroturizmit kanë ambiente akomodimi dhe shumica e fermave po investojnë në rindërtimin e banesave të tyre të vjetra për qëllime turistike. Tarifat e akomodimit paraqesin një burim të mirë të ardhurash për këto ferma. Çmimi mesatar për një dhomë çift (fjetje dhe mëngjes) në Evropë është rreth 75,0 euro, ndërsa në Shqipëri çmimi mesatar është 40 euro. Çmimet shumë më të ulëta në Shqipëri e bëjnë sektorin e agroturizmit ekonomikisht tërheqës për turistët e huaj. Në të gjithë rajonin çmimet janë pothuajse kudo të barabarta.
#2.Tarifa e ushqimit dhe degustimit
Tarifat e ushqimit dhe degustimit sigurojnë forma të tjera të gjenerimit të të ardhurave për
njësitë e agroturizmit. Shumica e njësive të agroturizmit në Shqipëri kanë investuar në restorante dhe shërbejnë një gamë të gjerë gatimesh tradicionale, të cilat preferohen shumë nga turistët vendas dhe të huaj. Të ardhurat nga shërbimi i ushqimit janë në rritje të vazhdueshme dhe ka raste kur të ardhurat nga restorantet mbizotërojnë në strukturën e të ardhurave nga agroturizmi (modeli i biznesit “nga ferma në tryezë”). Fermat që rritin ose prodhojnë një larmi të gjerë të produkteve ushqimore mund t’i konsiderojnë tarifat e degustimit si pjesë të fluksit të të ardhurave të agroturizmit. Meqenëse këto përvoja janë të rralla, vizitori shpesh është i gatshëm të paguajë shtesë për ofertën.
#3. Tarifa e shëtitjes në fermë
Tarifa e shëtitjes në fermë i vë në dispozicion vizitorit shërbimet e një udhërrëfyesi të informuar
ose të paktën një udhëzues për shëtitjet që mund t’i organizojë vetë. Tarifat mesatare të shëtitjeve janë rreth 10-15 euro për person. Një turist që paguan këtë tarifë dëshiron informacion dhe akses në hapësirat e fermës që janë të kufizuara për vizitorët e tjerë. Pas pagimit të tarifës, ferma do ta pajisë vizitorin me biletë ose kartë që tregon statusin e tij si pjesëmarrës që ka paguar për shëtitjen. Përveç shëtitjeve në fermë, njësitë e agroturizmit mund të ofrojnë programe vizitash në zonat përreth, vizita në atraksionet natyrore dhe pika të tjera me interes. Shëtitjet e vetëorganizuara janë përgjithësisht falas; megjithatë, shëtitjet në grup shpesh kërkojnë shumë kohë që stafi të përgatitet dhe të organizojë shëtitjen.
#4. Shitjet e produkteve të freskëta të fermës te një bazë më e gjerë klientësh
Përmes shitjeve direkte, fermat sigurojnë tregun për një pjesë të produkteve të tyre të freskëta.
Këto produkte i shiten një baze më të gjerë klientësh me çmime pakice. Kjo sjell të ardhura më të larta nga aktiviteti bujqësor, si dhe marzhe më të mira fitimi.
• Shitjet e produkteve bujqësore të përpunuara
Shumë ferma janë zgjeruar duke prodhuar dhe shitur artikuj me vlerë të shtuar. Produktet e
përpunuara, të tilla si reçeli, turshitë dhe frutat e thata, janë shpesh artikuj më të mirë pakice
për vizitorët, pasi ato janë lehtësisht të transportueshme. Shitjet e këtyre produkteve rriten kur
vizitorët e provojnë vetë produktin gjatë qëndrimit në fermë.
• Shitja e produkteve artizanale/suvenireve
Përveç shitjes së produkteve të fermës, pronarët e fermave mund të përfitojnë nga shitja e
suvenireve, të tilla si ornamentet, sendet e punuara me dorë dhe objektet antike rurale. Shumë
operatorë agroturizmi në të gjithë botën kanë zgjeruar veprimtarinë me dyqanet e dhuratave,
por kjo kërkon inventarizim dhe madje edhe më shumë menaxhim. Ky mund të jetë një investim i justifikuar, por vetëm pasi ferma të tërheqë një numër të konsiderueshëm vizitorësh. Blerja e këtyre produkteve nga bizneset e tjera rurale për t’i shitur me një marzh fitimi do të sigurojë të ardhura jo vetëm për fermën, por edhe për komunitetet rurale përreth.
#5. Tarifa e aktiviteteve në fermë
Turistët që vizitojnë fermat shpesh janë shumë të interesuar të marrin pjesë në aktivitetet e
përditshme të fermës. Shpeshherë turistët janë të gatshëm të paguajnë për të provuar për një ditë jetën e një fermeri. Kjo siguron një mundësi për krijimin e të ardhurave shtesë. Disa shembuj të veprimtarive për të cilat fermat mund të aplikojnë tarifa janë: aktivitetet e ushqyerjes së kafshëve; udhëtimi me qerre; seancat e kalërimit; udhëtimet nëpër fushë apo plantancione, punimi i tokës etj. Ferma mund të vendosë një tarifë 10-20 euro për person për ofrimin e këtij lloji aktiviteti.
#6. Tarifa e edukimit dhe zhvillimit të aftësive
Mundësitë e turizmit edukativ janë në rritje sepse shumë turistë preferojnë të qëndrojnë aktivë dhe mendërisht të angazhuar edhe kur janë me pushime. Shumë banorë dhe fqinjë do të përfitojnë gjithashtu nga orët mësimore që do të zhvillojë ferma. Nuk ka kufizime praktike në orët mësimore që mund të ofrojë ferma. Disa shembuj përfshijnë: fermat e drithit mund të organizojnë orë mësimore për pjekjen e bukës; fermat me drejtim frutikulturë mund t’u tregojnë vizitorëve se si të bëjnë reçel, marmelatë ose shurup frutash; fermat me drejtim vreshtarinë mund të organizojnë orë mësimore mbi prodhimin e verës dhe përzierjen e saj etj. Fermat e agroturizmit duhet ta konsiderojnë këtë aktivitet si një burim të mirë të ardhurash ndërsa zhvillojnë ofertën e tyre të agroturizmit.
#7 Tarifa e pjesëmarrjes në evente
Vendoset një tarifë hyrjeje për të marrë pjesë në evente dhe aktivitete, ose për shëtitje në zona
të veçanta të veprimtarisë në fermë. Fermat nuk duhet të vendosin tarifë për hyrjen në një zonë të shitjes me pakicë të produkteve (si p.sh. dyqani i produkteve të fermës), por në një pjesë më të kufizuar të fermës, siç është hyrja në një platformë shikimi në sallën e mjeljes. Zakonisht aplikohet një tarifë e përgjithshme hyrjeje, në vend të tarifave të tjera, si tarifa e shëtitjes ose veprimtarisë./CBS