A ka pak shpresë për gratë në fasoneri?!

Ajo erdhi e ndrojtur drejt sallës, ku po bëheshin të fundmet përgatitje për takimin e mirëplanifikuar prej kohësh. Nuk e pash të gjente rehati për asnjë moment. Rrinte sikur të qe ulur mbi gjemba. Ndërsa të gjithë po merrnim nga një filxhan kafe si për t’i ngrohur duart akull, ajo ashtu e zënë në turp, uli shikimin përdhe … i lexohej nxitimi në ball! Donte të fliste, të nxjerrte ç’kish grumbulluar në shpirt, t’i dëgjohej ai zë i ngjirur dhe pastaj të ikte një orë e më parë, pa e humbur atë të shkretë, vend pune.
Tryeza punimet i filloj me një energji goxha pozitive, ndofta si rrallë herë anëve tona – ose unë e gjeta vetën kollaj në panoramën laramane të brengave që ndonjëherë duken, se për një grua s’kanë kurrë të sosur dertet!
E përqëndruar fund e krye tek fjalimi i gjithsecilit, prisja me zor ta dëgjoja gruan përballë meje. Në letrën që rrinte përkarshi saj, shkruhej vetëm kaq: A.S. – punonjëse në një fabrikë fasonerie. Maska ja zente gjysmën e fytyrës. Zor se po e takova ndonjëherë mund ta njoh. Zatën, ajo nuk ishte aty për tu dukur – dhe kjo u bë krejt e qartë qysh në momentin kur nisi të fliste!
“Unë jam A.S. punoj në një fasoneri. Sot, me shumë vështirësi morra leje për të ardhur këtu. Doja të flisja. Pak organizata kanë ardhur për të na vizituar. Vetëm GADC-ja është kujdesur për ne ndër vite.
Ne punojmë në kushte shumë të vështira; verës plasim nga vapa e në dimër nuk i ndjejmë gjymtyrët prej të ftohtit. Nëse sëmuremi dhe nuk shkojmë në punë, pushimi prej 1 jave na ofrohet pa të drejtë page! Nuk na japim leje në rast se kemi probleme apo shqetësime, ndërkaq kontratat e punës firmosen shpejt dhe pa na u dhënë mundësia për t’i lexuar a për të poseduar një kopje prej tyre. Punonjësit që marrin leje, rrezikojnë të humbin vendin e punës!
Ne, as nuk trajtohemi si njerëz! Anise jemi të vetëdijshme për pagat qesharake që marrim, jemi po aq të vetëdijshme edhe për rrezikun që na kanoset vazhdimisht për shkak të kimikateve që përdoren në fasoneri. Por ne mbahemi me këto paga! Disa prej nesh janë gra të veja, e disa të divorcuara, ca kanë fëmijë të sëmurë. Një pjesë kanë mbaruar shkollën, e pjesa tjetër janë pa formim profesional. Gjithsesi, na duhet ajo pagë anise minimale.
Dua të them gjithashtu se përgjegjëset e fasonerive janë kryesisht gra, të cilat për fatin tonë të keq, janë thuajse të pandjeshme dhe shpesh na sorollatin për punë krejt të vogla. E di, ne duhet ta ngrejmë zërin! Sot erdha këtu për të thënë se duam kushte më të mira pune, duam pagë më të dinjitetshme! Dhe mbi të gjitha, duam të trajtohemi si njerëz! Kaq, të paktën!
- Kaq tha ajo A.S., dhe iku. U largua fluturimth duke lënë pas, shijen e idhët të dhimbjes dhe trishtimit që i ka traumatizuar gratë e këtij vendi shpresëpak.
Fjala e zonjës A.S., është shkëputur prej Tryezës Kombëtare të Diskutimit: “Të drejtat e grave punonjëse në fabrikat “fason”, Covid 19 dhe perspektiva për vitin 2021” organizuar nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) disa ditë më parë. Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Të drejtat e grave në tregun e punës” me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Tiranë përmes organizatës Olof Palme International Center.
Tryeza punimet i nisi me një prezantim të detajuar nga znj. Mirela Arqimandriti mbi përpjekjet kolosale që GADC-ja ka bërë me vite të tëra, me qëllimin për t’i ndërgjegjësuar gratë punonjëse në sektorin e fasonerisë në lidhje me të drejtat e tyre të mishëruara në Kushtetutën e Shqipërisë, Kodin e Punës, Ligjin për Sigurinë si dhe Shëndetin në punë. Të drejtat si kontrata e punës; ngarkesë pune e kontrolluar; pagë e denjë dhe jo në kushtet e presionit psikologjik; punë në kushte shëndeti dhe sigurie të plotë siç e kërkon ligji – qenë vetëm disa prej kërkesave të shpalosura nga GADC-ja.
Në këtë tryezë gjithashtu u diskutua edhe impakti që pandemia Covid-19 ka shkaktuar gjatë periudhës së mbylljes dhe në muajt vijues nëpër kompanitë fason. Qendrueshmëria dhe siguria e vendit të punës së grave dhe vajzave sikurse mirëqenia ekonomike dhe perspektiva për vitin 2021 u shtruan për debat prej aktorëve të pranishëm në tryezë siç ishin: përfaqësuesit e Qeverisë, përfaqësuesit e biznesit “fason”, pëfaqësues nga Parlamenti i Shqipërisë, institucionet publike si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, donatorë që operojnë në Shqipëri, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Reagimi të ashpër patë thuajse nga të gjitha palët për kushtet tepër të rënduara të punës dhe keqtrajtimin e vazhdueshëm të grave nëpër këto kompani. Gratë pjesëmarrëse nga shoqëria civile kërkuan me ngulm respektimin e të drejtave të punonjësve dhe bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha palëve. Të vetëdijshëm për sfidat, problemet dhe përipecitë e pasosura, ndër tjerash gjatë kësaj tryeze diskutimi u fokusua edhe tek rekomandimet se si mund të kontribuohet për t’i paraprirë dhe për t’ju përgjigjur krizës aktuale dhe nevojave të së ardhmes për punësim të denjë.
Nga Fjolla Spanca