Agropërpunimi dhe turizmi mbeten sektorët më potencialë në vend
Sekretariati i Këshillit të Investimeve vlerësoi së fundmi në një dokument analitik se pak sektorë mund të shërbejnë si një ofertë e hapur për ata që duan të investojnë në Shqipëri. Analiza e Sekretariatit u hartua në bazë të takimeve të zhvilluara me sipërmarrës dhe drejtues të rëndësishëm kompanish në vend, duke marrë prej tyre përshtypjet mbi sektorët që shihen me më shumë potencial.
Agropërpunimi
“Agropërpunimi perceptohet si një sektor ku ekzistojnë potenciale për investime të reja si p.sh. në investime në përpunimin e produkteve dhe fruta-perime “niche” me vlerë të shtuar për eksport dhe për tregun vendas (Made in Albania), apo përpunimi në vend i bimëve mjekësore etj. Vitet e fundit, vërehet rritje e eksportit të bimëve, rrënjëve, luleve dhe gjetheve zbukuruese, çajit dhe erëzave si dhe rritje e eksporteve në produktet bujqësore të përpunuara, si përpunimet e zarzavateve dhe frutave” – nënvizon Këshilli i Investimeve.
Turizmi
Turizmi i nxitur nga shifrat në rritje të turistëve të huaj drejt Shqipërisë, është mbështetur me një paketë speciale që lehtëson barrën e taksave për investitorët, sidomos ata që cilësohen si brand name apo marka. Pavarësisht zhvillimeve të përgjithshme në letër, operatorët e sektorit të turizmit kanë theksuar se problematika më e madhe që hasin është infrastruktura, çka bën që Shqipëria të humbë pikë në sytë e turistëve të huaj, ndërkohë që gjendja të papërgatitur për një fluks të lartë turistësh ka bërë që shërbimi të cilësohet shpesh si i dobët.
Këto përshtypje i ka marrë edhe vetë Sekretariati i Këshillit të Investimeve. “Turizmi përbën 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri. Ndërkohë, sfida e turizmit kundrejt arritjes së potencialit që përfaqëson, kushtëzohet nga progresi i infrastrukturës, ruajtja e ekosistemeve, kapacitetet akomoduese, cilësia e shërbimeve, oferta dhe produkti turistik. Theksojmë se këta faktorë kanë frenuar disi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri, duke i lënë vend një zhvillimi të pakontrolluar e kaotik që faktikisht e ka mbajtur në këmbë këtë industri, por duke rrezikuar ndoshta qëndrueshmërinë e tij në terma afatgjatë” – thuhet në dokument.
Burimi: Këshilli i Investimeve