Agroturizmit e turizmi rural
Konceptet e turizmit rural dhe agroturizmit shpeshherë ngatërrohen nga fermat dhe agrobizneset, madje ndonjëherë edhe në nivel institucional, veçanërisht tani qe agroturizmi po trajtohet si sektor i vecante dhe aktivitet biznesi fitimprurës.
Agroturizmi nuk mund të shihet si i ndarë nga veprimtaritë bujqësore. Kuptimi i qartë i agroturizmit është gjithashtu i rëndësishëm për institucionet e hartimit të politikave, në mënyrë që të mund të hartojnë politika më të mira për zhvillimin e sektorit.
Agroturizmi është një aktivitet pritës që zhvillohet në fermë ose në njësi të tjera bujqësore me qëllim tërheqjen e vizitorëve, shpesh duke u mundësuar që të marrin pjesë në aktivitete bujqësore ose aktivitete të tjera ndihmëse që zhvillohen në mjedisin bujqësor. (VKM Nr. 22, datë 12.1.2018).
Çdo formë e turizmit që tregon jetën rurale, artin, kulturën dhe trashëgiminë në vendet rurale, që i sjell komunitetit vendas përfitime ekonomike dhe sociale, si dhe që mundëson ndërveprimin midis turistëve dhe banorëve vendas për një përvojë më të pasur turistike, mund të përkufizohet si turizëm rural (OECD).
Për ta përmbledhur, agroturizmi është një nëndegë e turizmit rural, me një koncept më të gjerë që mund të përfshijë pothuajse çdo veprimtari turistike që zhvillohet në vendet rurale. Në vendin tonë, VKM nr. 22 përcakton kriteret minimale që duhen përmbushur në mënyrë që një njësi të klasifikohet si njësi agroturizmi. Kriteret lidhen me sipërfaqen minimale të tokës bujqësore, kapacitetet akomoduese dhe shërbyese të ushqimit, burimet e produkteve etj.
Më konkretisht, kriteret janë:
• Toka – 1 ha në terren të hapur ose 0,5 ha në zona të mbrojtura;
• Shërbimet – Njësitë e agroturizmit duhet të ofrojnë një nga shërbimet e mëposhtme: ushqim, akomodim, shërbime rekreative;
• Kapacitetet e akomodimit: – 6 deri 30 dhoma akomodimi.
• Arkitektura e ndërtesave: Në përputhje me VKM-të nr. 711 dhe 730 për “Kushtet, kriteret dhe procedurat për klasifikimin e strukturave akomoduese”.
• Restorantet – nga 6 deri në 60 tavolina për shërbimin e ushqimit;
• Origjina e produkteve – të paktën 30% e ushqimeve dhe pijeve që ofrohen në njësitë e agroturizmit duhet të jenë prodhime të fermës, pjesa tjetër prej 70% mund të blihet nga fermat e tjera përreth.