Agroturizmet vuajnë akses të ulët në financime
Agroturizmi është një lloj hibrid i sistemit bujqësor që bashkon elementët e bujqësisë dhe turizmit për të krijuar ofertë për produktet dhe shërbimet bujqësore si dhe për të ofruar eksperienca për turistët. Ritmi i shpejtë i jetës në qytet dhe rritja e ndotjes së mjedisit po i shtyn banorët e qytetit drejt zonave rurale. Banorët e qyteteve të mëdha janë në kërkim të mjediseve ku ata mund të kalojnë kohën e çmuar në prani të familjes dhe miqve dhe të shijojnë veçantinë e natyrës.
Por aksesi i ulët në financimit konsiderohet si një nga pengesat kryesore të rritjes për sektorin e agroturizmit. Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të agroturizmit kërkon përpjekje më të mëdha nga të gjithë aktorët në zinxhirët e vlerave në bujqësi dhe turizem dhe më shumë fokus nga bankat dhe institucionet financiare në financimin e sektorit me produkte të dedikuara kredie.
Investimet më të zakonshme që priten në të ardhmen janë ato që përqendrohen në ndërtimin e ambienteve akomoduese, rinovimin e banesave të vjetra tradicionale, shndërrimin e tyre në bujtina dhe restorantet që shërbejnë gatime tradicionale dhe produkte tipike autentike.
Gjithashtu, investimet e pritshme kanë të bëjnë me aktivitetet e marketingut dhe ato promovuese, linjat e përpunimit dhe paketimit në fermë, zhvillimin e programeve të garantimit të cilësisë dhe marrjen e çertifikimit, si dhe me investimet për zhvillimin e shërbimeve të agroturizmit.
Shumica e nismave publike dhe private në sektor janë të përqendruara në nxitjen e ofertës, ndërsa pak është bërë për të krijuar kërkesë. Koordinimi midis nismave të promovimit të kërkesës dhe ofertës në agroturizëm është i rëndësishëm për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.