Njerëzit po e ndryshojnë klimën me një ritëm të pashembullt!
Njerëzimi do të përjetojë mot edhe më ekstrem në vitet vijuese, e madje do të vuajë nga pasojat e rritjes së nivelit të detit dhe shkrirjes së akullit të Arktikut, thanë shkencëtarët e ardhur nga e gjithë bota, të cilët po punojnë në një raport vendimtar të OKB -së mbi ndryshimet e klimës.
Raporti alarmues nga një panel shkencor i OKB -së, i publikuar të hënën, i quajti ndryshimet në klimë “të pashembullta” dhe shtoi se është “e qartë” që njerëzit duhet të fajësohen për këtë fakt! Madje, raporti parashtroi rastin për shkurtime drastike të emetimeve të gazit në mënyrë që temperatura globale të mbahet nën kufijtë e përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit-2015.
Në raportin e lëshuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) (me bazë në Gjenevë) thuhet se shkalla e ndryshimeve të fundit në mbarë sistemin klimatik si dhe gjendja aktuale e shumë aspekteve të po këtij sistemi janë fakte tronditëse të papranueshme dhe sinjale tejet alarmuese.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e quajti vlerësimin e IPCC “kod të kuq për njerëzimin”.
“Ky raport duhet të tingëllojë si një këmbanë e vdekjes për fosilet e thëngjillit dhe karburantet, para se atë ta shkatërrojnë planetin tonë,” tha ai ndër tjerash në një deklaratë. “Shtetet gjithashtu duhet t’i japin fund të gjitha kërkimeve dhe prodhimit të karburanteve fosile të reja dhe të zhvendosin subvencionet e karburantit fosil në energji të rinovueshme.”
Gjithashtu raporti vë në dukje se që nga viti 1960, pyjet, toka dhe oqeanet kanë thithur 56 përqind të të gjithë dioksidit të karbonit që njerëzimi ka grumbulluar në atmosferë – edhe pse ato emetime janë rritur vetëm përgjysmë. Ndërkaq, pa ndihmën e natyrës, Toka tashmë do të ishte një vend shumë më i nxehtë dhe goxha më pak mikpritës!
Në anën tjetër, janë përmendur edhe burimet e ndryshimeve të klimës, kryesisht të shkaktuara nga njerëzit, e të cilat ndahen afërsisht midis rrjedhjeve nga prodhimi i gazit natyror, minierave të qymyrit dhe deponive në njërën anë, si dhe trajtimit të bagëtive dhe plehut organik në anën tjetër. Përndryshe, Raporti përfshin më shumë të dhëna se kurrë më parë mbi gazrat, emetimi i të cilave mundet të minojë objektivat e Marrëveshjes së Parisit.