Një çështje për t’u rimenduar mbi arsimin
Është parë si një zgjedhje, shpesh e padiskutueshme, për të shkolluar fëmijët e tyre, e që në më të shumtën e rasteve shoqërohet me një barrë të madhe sakrificash prindërore për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare që jetojnë në periferi të qyteteve. Tërësisht e kuptueshme për hir të shpresës që jeta e fëmijëve do të mund të bëhet ndjeshëm më mirë se e tyrja, duke iu dhënë kështu shansin për t’iu qasur meritokracise, për të qenë të denjë e të barabartë në mundësitë e së ardhmes.
Këto familje janë po aq të ndërgjegjshme se shkollimi nuk është barriera e vetme që fëmijët e tyre dhe ta duhet ta kalojnë me më shumë mund se bashkudhëtarët e tjerë që për fat gëzojnë integritet të lartë social, që zotërojnë të ardhura të bollshme apo bazën e kanë në qytet. Pozita e të mosqenurit në favore të barabarta bëjnë të zhvillohen aftësi për të shfrytëzar me mend ato pak burime mundësish që kanë në dorë. Amartya Sen, e të ngjashmit e tij, do e quanin hiç më pak se aftësia për t’i krijuar vetes mundësi: nuk ka rëndësi sa pará e integritet zotëron, por se si i përdor aq sa zotëron.
Këta të rinj prej fshatrave apo provincave të largëta, ia dalin të integrohen mjaft mirë në Tiranën e madhe të Shqipërisë apo në qytete të tjera edhe pse u duhet më shumë mund . Shumë prej tyre zgjedhin që ato pak burime mundësish, të kthehen në forcë dhe jo pengesë për ta, paçka se më shumë mund u duhet për t’u realizuar karshi një pjese të mirë me mundësinë e “dyerve të hapura kudo”. Kjo më sjell menjëherë ndërmend Aristotelin me thënien: “Lumturia varet tërësisht prej nesh”.
Ky hap i madh, shkollimi i të rinjve prej provincave është vlerë e shtuar për veten, familjen dhe vendin, të cilit do t’i shërbejnë në vijim. Por, shumica e gjen veten në kryeqendrën e mundësive pa pasur një tërheqje nga vendi që braktisën dikur për shkollimin. Pak e mendojnë kthimin, e në rastin më të parë janë ata që nuk e “çanë dot ferrën në Tiranë”, për njëmijë e një arsye.
Kështu, sipas një raporti të Ministrisë së Bujqësisë, të dhëna nga studime tregojnë se ka një rënie drastike të aftësive apo dijenxënies në sektorin e bujqësisë për shkak të emigrimit, mundësive të pakta që gjeneron ky sektor dhe mungesa e programeve të mirëfillta dhe trajnimin e të rinjve. Padyshim, që pak zgjedhin zanatin apo profesionin e trashëguar nga familja e të investojnë shkollimin aty, ku më pas në një farë mënyre përfiton edhe komuniteti lokal.
Në gjendjen aktuale të një vendi që përpëlitet në reforma kurrikulash mësimore dhe zelli i të rinjve për të bërë çmos për t’iu përshtatur tregut të egër të punës, duket qartë se përse këta të fundit e kanë të qartë joshen nga programe shkollimi që i shkon përshtat e i shërben vrullit të ekonomisë globale kryeqytetase.
Fenomen ky i përhapur anëkënd globit. Pa pikën e dyshimit, asnjë e keqe nuk na vjen nga kjo, porse duhet menduar se si një ekonomi e brishtë si kjo e vendit tonë do e kishte të nevojshme edhe qasjen ndaj nevojave të komunitetit duke përthithur të rinjtë e shkolluar. Të paktën përthithjen e pak prej tyre që u larguan për shkollim.
Duhet medoemos pak mund, vullnet politikash të mirëfillta që të arrihet që vetë lokaliteti apo bashkësia të përfitojë nga sakrificat prindërore për shkollimin e fëmijëve si dhe aftësia dhe vullneti i të rinjve për të marrë njohuri të thelluara, për t’u arsimuar e për të fituar zotësi profesionale. Asnjëherë nuk do të jetë vonë për një impakt pozitiv të arsimimit në komunitet, sepse është pikërsisht kjo fuqi e madhe që jep lirinë e të bërit ndryshime të mëdha.
Nga Marcela Tringaj