Arsyet pse duhet zëvendësuar furça e zakonshem e dhëmbëve me një furçë prej bamboo-je
Sot kemi mundësi që të kujdesemi për shëndetin tonë dhe mjedisin. Njohim nevojat ekologjike dhe po mbështesim produktet natyrale duke kontribuar në shpëtimin e planetit tokë. Një nga alternativat që na ofrohet është furça e dhëmbëve me bambu, e cila po përhapet gjithmonë e më shumë dhe po ndërgjegjëson njerëzit me aftësinë e saj biodegraduese. 1 furçë plastike i duhen 1000 vite të shpërbëhet dhe gjatë kësaj kohe lëshon kimikate ndërsa 1 furçë me bambu shpërbëhet po aq shpejt sa një degë peme.
Disa cilësi që e veçojnë furçën me bambu:
- Bambuja rritet shumë më shpejt sesa pemët e tjera dhe mund të përdoret pas 3 ose 5 vite, krahasuar me pemët që duan 10 ose më shumë se 30 vite. Jeta e saj nuk përfundon pasi pritet por vazhdon, pasi rrit filiza të reja nga rrënja.
- Bima e bambusë ka veti antibakteriale dhe ruan higjenën e gojës. Ndërsa furça plastike ka kimikate si polipropileni dhe polietileni të cilat nëse hyjnë në gjak shkaktojnë pasoja të rënda në shëndet.
- Furça me bambu kushton më pak sesa furça plastike pasi shiten në internet dhe krijojnë mundësi zgjedhje. Ato janë unike dhe vijnë në paketime të riciklueshme dhe eko-miqësore.
- Prodhimi i furçës me bambu kërkon pak burime dhe është prodhim artizanal ndryshe nga furça plastike që prodhohet në fabrikë dhe kërkon energji për përpunimin e saj.
- Nëse kujdeseni siç duhet, mund të zgjasin deri në 3 muaj ose më shumë. Pas përdorimit duhet që ta lani dhe ta ruani në një vend të thatë.
- Nëse nuk keni mundësi riciklimi, mund ta digjni pasi nuk lëshon gazra toksik ose kimikate.
- Produktet që krijohen prej saj janë natyrale pasi nuk kërkon pesticide për rritje.
- Bambuja thith shumë shpejt karbonin, llogaritet që deri në 2050 mund të reduktoj 8 – 22 gigatonë dioksid karboni.
Shumica e produkteve prodhohen pa marrë parasysh ciklin e tyre të jetës, nuk riciklohen dhe nuk ripërdoren duke u kthyer në ndotje. Duhet të kujdesemi që brezat e ardhshëm të mos jetojnë në një botë ku mungon ajri i pastër, ku toka është e ndotur dhe nuk ka gjelbërim. Sigurisht që kërkon përfshirjen e të gjithëve, por gjithçka fillon nga ne.
Aleksandra Stambolliu