Arti i filigranit ose lavdia e një tradite që nuk zbehet kurrë!
Kushdo që zbarkon në Kosovë dhe mëton me njoftë pak por më nga afër historinë, traditën, zakonet dhe kulturën e këtij vendi doemos ka me e vizitu Prizrenin – qytetin e kalldrëmeve me kujtime të derdhura ndër stinë! Qytetin me plot xhamia e kisha të bukura fort; qytetin me lum e me shpate magjepsëse, me sofër të bekuar e ujë të kulluar! Prizreni apo djepi i qytetërimeve të puquna në Harmoni është folezë shpirtnore për etnitë e shumta që frymojnë në paqe. Qyshkur, qendër e njohur edhe për begatitë e pafundme të tregtisë e zejtarisë. Sot e asaj dite, brezat akoma e mbajnë nëpër mend se si njerëzit niseshin që pa gdhirë mirë me “tren për Perzeren” se zaten vetëm aty mund të bëje pazare për çdo sebep që trokiste ke portë e konakut!
Argjendarët e Prizrenit
Mendohet se diku rreth shekullit të 15-të në Kosovë nxë rrënjë puna me argjend. Pastaj, punimet e dorës me argjend të pastër që shoqëroheshin me gurë të ndryshëm natyralë apo fije floriri kulmin e zhvillimit e arritën mes shekujve XVIII-XIX kur argjendi përdorej jo vetëm si stoli trupi por edhe për zbukurimin e ornamenteve ose objekteve të tjera me vlerë.
Të dhënat dëftojnë se Prizreni do ketë qenë kryeqendër anise në këtë zeje të fisme nuk mbeteshin mbrapa as Peja, Gjakova e Prishtina. Familjet që s’pari e fillun artin e përpunimit të argjendit apo siç njihet gjerësisht filigranin, e trashëgonin me hire e kujdes këtë pasuri prej babait tek djali. Biles, sipas një artikulli të botuar nga BIRN Prishtina, në vitet e ’80-ta kur tregtia e filigranit lulëzoi goxha, Prizreni numronte diku rreth 150-200 artizanë.
Siç u përmend, Zanati i filigranit trashëgohej ndër breza ndërkaq puna e mjeshtrit dhe përkushtimi i shegertit a çirakut gjerësisht dhanë fryte përmes përsosjes së teknikave, stilit dhe motiveve goxha unike. Nga ana tjetër, meqë gjatë atyre viteve në Kosovë gjendej kollaj argjendi i papërpunuar në minierën e Trepçës dhe atë të Novobërdës, proceset e punës zhvilloheshin normalisht, madje tregti e konsiderueshme thuhet se bëhej sidomos me Kroacinë. Fatkeqësisht lufta i sosi shumë kapituj ëndrrash e shprese. Sikurse ikën njerëzit ashtu u tretën edhe mirësitë e së shkuarës dhe u tëhuajsua vlera e artit të filigranit, anise në qoshe të vockla, sot janë akoma ca familje që përpiqen ta mbajnë gjallë artin me ojna xhani!
Arti i filigranit në një familje prizerenase
Shenolli vjen prej nji familjeje me traditë në zanatin e filigranit. Ai tregon se babai i tij, Abdylhadi Berisha ishte i pari që qe marrë me këtë punëdore, pasi kish kryer shkollimin e mesëm për filigran në shkollën e zanateve “Briova” në Prizren. Kjo shkollë sot njihet si “Enti për punësim” ndërsa Shenolli dhe i ati bashkë me dy punëtor të tjerë, vazhdojnë aktivitetin aty.
Dikur babai i Shenollit punonte në shtëpi, ndaj për shegertin e vogël ishte e kollajshme “vjedhja e zanatit” Ai i kujton me mall orët e stërgjata që kalonte në punëtori duke e vëzhguar të gjithë procesin e përpunimit të argjendit. “Ndonjëherë babi më ofronte veglat dhe copëza argjendi e unë bëja sikur po punoja me to! Që atëherë e kam dashtë artin në përgjithësi! Sidomos vizatimin e dorës e kisha dobësi meqë më vinte natyrshëm. Biles, përpiqesha t’i jepja forma në argjend çdo gjëje që syri ma rrokte e më dukej si shumë e çmuar. Por atyre viteve kundroja prej larg. Babi ishte me fat sepse punën profesionale e realizonte bashkë me Nevruz Dajqin, mjeshtrin e mirënjohur në tërë Prizrenin.”
Para se Shenolli të përkushtohej seriozisht në zanatin jo krejt të ri, ai ka studjuar për psikologji – një pasion tjetër ky që i ndihmuar t’i gjejë balancat brenda vetës. I dhënë pas artit, fotografisë, librave e psikologjisë, ai tregon se qetësia shpirtërore është çelësi më i shtrenjtë i harmonisë së përbotme. “Unë lidhjen me psikologjinë e kam gjetur në filigran sepse aty jam i relaksuar, i qetë dhe punoj me dëshirë të pafundme.”
Puna e dorës me argjend të pastër 925 për Shenollin lehtësohet prej veglave (apo haleteve siç u thonë në Prizren) si pinca, gërshërët, etj. Ndërsa ai rrëfen se gjithnjë mundohet që të tjerëve t’ju tregoj se njeriu e gjen vetën vetëm brenda një pune të kryer me pasion e dëshirë; kësisoj edhe suksesi e qetësia psikologjike dhe emocionale janë hapat e parë të lumturisë në punë.
“Profesion do të thotë të bësh atë që ti di dhe do, e jo atë që të imponohet!”
Në fund, Shenolli tregon se aktualisht po punon me aksesorë grash si unaza, qafore, dorëzore, vathë, kollan (gjordan argjendi), varg për monedha floriri apo argjendi, etj. Krahas këtyre, ai mundohet të sjellë më afër klientëve edhe të tjera punime artistike.
- … ka akoma shumë për të thënë e për të shkruar rreth këtij arti sa të bukur po aq të magjishëm! Por le të jetë kjo një përpjekje modeste për t’i gjurmuar e njohur në vazhdimësi familjet e nderuara që nuk i kanë thyer tahmaja e lakmia! Familja Berisha dhe të gjitha familjet e tjera që punojnë filigranin në Prizren e në shumë qytete të tjera na falin shpresën se e Bukura dhe e Mira kanë për të jetu edhe ca ma gjatë këtyrë anëve!