Avniu dhe shumë heronj të tjerë të ekonomisë lokale

Zakonisht udhëtimet nëpër fshatra janë një pasion më vete. Mënyra më e mirë për të prekur realitetin e kauzës që besoj se mbroj e që e njoh veç mes studimesh. Por asnjë udhëtim nuk është i lehtë. Nuk lëviz me ndonjë makinë e mikrofon që që mban logon e ndonjë televizioni. E këdo që më duhet të takoj gjatë rrugëtimit në zona rurale duhet t’i prezantohem mirë e mirë. Askush s’më njeh por kjo nuk i bën të pasjellshëm dhe të paduruar njerëzit.
Pas disa minuta së rrëfyeri për veten (gjë që më bezdis e më lodh disi) njerëzit më rrëfehen çlirë. Aq hapur më flasin sa në fund të çdo rrëfimi më tregojnë se cilin informacion mund ta përdor lirshëm e cilin duhet ta mbaj për vete. Druajtes se përcjellja e shqetësimeve e zemëratave nuk do i sjell kurfarë përfitimi veçse mund t’u hap ndonjë telash të vogël. Tekefundit nuk janë dëgjuar ndonjëherë përsëmbari shqetësimet.
Im at më shoqëron shpesh në udhëtime. Nuk di se kush është më i apasionuar unë apo ai në çështjen që unë përpiqem të shpalos në këtë blog modest. Këtë herë më thotë se njeh një blektor në Spathar të Librazhdit e që kujdeset për 300 kokë dele. Skeptike se nuk di se ç’mund të gjej ndonjë gjë të veçantë fare të rrëfyer nga Avniu por sërish pranoj të shkoj me qejf.
Kur mbërijmë, fshati dukej i shkretë edhe pse nuk ish ftohtë. Lagja e fundit e fshatit kish veçse 35 shtëpi të banuara. Të gjitha shtëpitë e mbetura me të moshuar. Katër djem i kanë mbetur asaj lagjeje dhe dy janë djemtë e Avniut të cilët u gjenden për çdo hall gjithë banorëve të mëhallës. Njëri prej tyre nuk ishte në shtëpi pikërisht sepse po i vinte një komshijeje në ndihmë me bagëtinë. Djemtë fshati ka pasur plot porse ata janë tashmë në emigrim apo lënë atë për qytetin për një jetesë më të mirë.
Takojmë Avniun tek një faqe mali jo larg shtëpisë me tufën e tij prej treqind kokëve dhe dy qentë e stanit. Bëjmë një bisedë të gjatë për gjithë fshatin, braktisjen e tij, për mundësitë që ofron fshati për gjithë shpresat e investuara në të. Avniu më tregon se puna me bagëtinë mban gjithë familjen e madhe prej tetë pjestarësh. Pa frikë që katër rroga të mira mujore dalin prej saj dhe pa llogaritur se gjithfarë shpenzimesh të kryera për ndërimin e shtëpisë së re, shkollimin e Marselës në Universitetin e Elbasanit. Pikërisht çdo gjë ka ardhur prej tufës dhe punës së familjes. Prej asgjëje tjetër!
Sigurisht që në dukje ky rrëfim duket si diçka normale. Një punë fshati që mban familjen. Aspak për çudi dhe e jashtëzakonshme. Me gjithë vështirësitë dhe mundin e stërmadh, një familje me një kapacitet të tillë jeton dhe mund t’i lejojë vetes një jetesë të denjë dhe normale. E veçanta qëndron në faktin se duhet të perceptohet e tillë nga të gjithë. Fshati nuk të lë pa gjë veçse duhet punë, shumë punë, nga e gjithë familja.
Tek largohemi e pyes tim at se ç’kish të veçantë nga Avniu dhe familja e tij. Më gjegjet se donte të më pyeste mua për këtë meqë e kam marr seriozisht çështjen e fshatit. I them se nuk e shoh skëterrë fshatin e harruar dhe se ai që do ia del paçka vështirësive. Ai nuk kënaqet me përgjigjen time. Ngulmoj të di mendimin e tij. “Si Avniu janë me mijëra anekënd Shqipërisë, ashtu të pavëmendttë ata janë jo vetëm heronj të ekonomisë lokale por edhe të vlerave familjare dhe komunitare. Sa pak të duket kjo?”
Nga Marcela Tringaj