Bajron Nikolli / Historia e djaloshit që iu largua fshatit plot ëndrra e që u rikthye për t’i realizuar po aty
Bajronit iu desh të linte shtëpinë ende fëmijë, për të emigruar në mënyrë klandestine në Itali. Për një jetë më të mirë. S’do mend, si të gjithë! Iu desh t’i dilte zot vetes në një moshë fare të njomë, larg fshatit të vogël dhe familjes së tij. Zor se pati një ditë kohë t’i mbushte pëllëmbët me lot për vështirësitë që hasi me t’i shkelur këmba në dhé të huaj. Do të duhej t’i përshtatej sa hap e mbyll sytë jetës së re, të shpejtë e të zhurmshme të qytetit të madh, tek mësonte në një kohë të shkurtër, si gjuhën, edhe profesionin e ri.
Vitet kaluan dhe qyteti që e kish pritur që fëmijë, u bë shtëpia e tij e dytë. Vendi i dha një mundësi të artë për t’u integruar, për të krijuar emrin e tij, për t’u bërë profesionist në bërjen e picave, e të nxirrte kështu të ardhura të mira për të ndihmuar familjen e lënë në fshat. Bajroni arriti të bëhej edhe elektricist ekspert dhe tashmë drejton e menaxhon kompaninë e tij në Itali. Me gjithë sukseset e merituara nga puna e sakrificat, Bajronit i rrinte mendja në fshat. T’i investonte të gjitha kursimet pikërisht atje, në shtëpinë e të parëve. Ndryshe nuk do të ndihej asnjëherë i plotësuar.
Ishte viti 2018, viti kur mori udhë ëndrra e tij. Do të ishte pikërisht një sipërmarrje turistike pranë shtëpisë së vjetër të familjes. Së bashku me të vëllanë, Toninin, të sapokthyer nga Italia pas përfundimit të studimeve universitare, do të krijonin një shërbim që, deri në atë kohë, nuk e kish ofruar as fshati i tyre, as e gjithë zona. Kështu, me lekët e kursyera nga emigrimi i Bajronit, nisi puna për ndërtimin e katër shtëpizave të vogla prej druri rreth e qark shtëpisë së vjetër të familjes.
Të dy vëllezërit vendosën ta quajnë bujtinën e tyre “Baven-Toven”. Një realitet i vogël, por me një ëndërr të madhe. Kjo sipërmarrje unike do të kthehej në destinacionin e preferuar të zonës, dhe vëllezërit donin që mysafirët mbi gjithçka të kujtonin mikpritjen tradicionale mirditore pas bujtjes tek ata. Bujtina është konceptuar që turistët të kenë ndërveprim me vetë natyrën e fshatit. Jo vetëm përmes shëtitjeve në natyrë, por edhe duke vizituar asetet historike, kulturore dhe arkeologjike të zonës.
Përmendim këtu Kalanë e Matrizës në Rubik, ndërtuar në fillim të shekullit të 6-të, në periudhën e perandorit bizantin me origjinë ilire, Justiniani I. Ishte njëkohësisht, kala mbrojtëse dhe kontrolluese e rrugës së hershme Lezhë—Prizren—Nish, që kalonte nëpër luginën e Fanit, dhe pikë kryesore mbështetëse në veprimet luftarake të Gjergj Kastriotit në këtë zonë. Interesante janë edhe piktogramat 3.500-4.000-vjeçare, shumë pranë bujtinës e që mund të shihen pas një ecjeje të shkurtër. Kisha “T’Shëlbuemit” ndërtuar në shekullin e 12-të është një pikë tjetër tërheqëse, për të cilën ia vlen dyfish ta vizitosh zonën.
Përvoja bëhet tejet interesante gjatë qëndrimit në bujtinën “Baven-Toven”. Të gjithë mysafirët, përveçse shijojnë gatimet tradicionale, mund edhe të angazhohen në gatim bashkë me Nanë Tringën, nënën e Bajronit dhe të Toninit. Një pjesë e mirë e prodhimeve janë të bahçes, mbjellë nga e zonja e shtëpisë, ndërsa pjesa tjetër pa dyshim vjen nga fermerë dhe prodhues rreth e rrotull zonës. Bëhet një kujdes i veçantë nga mikpritësit që çdo mysafir të njihet mirë me traditën, kulturën dhe doket jo vetëm mirditore, por edhe ato veriore.
Bajroni as që e çonte ndërmend se kjo sipërmarrje do të shkonte kaq mirë, që do t’i jepte mundësinë të njihej me shumë e shumë vizitorë që, më vonë, do të ktheheshin në miq të mirë. Të shumtë janë ata që rithehen dhe gjejnë të njëjtën ngrohtësi si herën e parë, e për Bajronin nuk ka kënaqësi më të madhe. Bujtinat e ndërtuara prej tij janë rrënjët e reja të kapura fort pas atyre të vjetrave, si një mënyrë për të treguar se zemra rreh për këtë tokë, edhe pse larg. Tashmë, shumë herë më përmallshëm, mezi pret të rikthehet te bujtina e tij, shumë herë më shumë përmallshëm se dikur.