Big City Life
I ke parasysh ato ditët del, dera bam pas vetes. Zbret pa asnjë lloj qëllimi ashtu veshur si “për shpi” ecen drejt kafes së lagjes.
Kafen, s’duhet ta pij, as nuk e pij në fakt si përpara, shkoj njësoj.
-Të qendrosh vetëm midis të panjohur –
Dy tre të moshuar që ka kohë kanë zëvendësuar rrakinë me redbull, një Zot e di kush ia ka prishur mendjen. Çunat e lagjes të zënë, në instagram rrezik… me siguri nuk po lexojnë blogun tim. Gratë, kanë sjellur fëmijët të lozin, më shohim të çuditura në qoshen time… Erdha për të qendruar vetëm?! Vëzhgimit të radarëve të kësaj mikrojete, nuk i shpëtoj dot. Mbase, nuk dua t’i shpëtoj. Gjej një lloj rehatie, ata nga larg mund të dinë më shumë se mua rreth vetes. Ndër vite, të kanë parë kur u dobësove, u shëndoshe, kur hyre me qen e s’lejohej. Kujtojnë kur erdhe çift, kur ishe me atë shoqe, kur ishe grup. Jam e sigurt, kujtojnë akoma atë ditë kur u ula e qava për dy orë mbi filxhanin tim. Kafja e lagjes, gysmë terapi e gjysmë torturë.
Se ç’ndjen një lloj plotëfuqie qytetari mesatar i Tiranës dhe thotë: “po zbres çik poshtë ke lagja”.
Në bisht të syrit, vëzhgojmë njëri-tjetrin, pa të keq, kështu për t’u ndjerë pjesë të diçkaje pa asnjë lloj përgjegjësie.
Edhe unë, mbyll derën, bëj sikur dal… aty “ke lagja”. Majtas TV jep muzikë të harbuar të huaj, në sfond tjetër për tjetër këndojnë pop-folk shqip…
Djathtas dy burra patën dasëm, e po mburren sa arka birrash pinë…
U nisa të shkruaja tjetër gjë, më të bukur me mendjen time, po më doli kjo.
• E pyes veten çfarë bëj këtu?!
Nga ditari i Noa Nur