Bota Magjiplotë e Letrës
Pas “Botës Magjiplotë të Letrës” fshihet Dorina, për të cilën teknika quilling nuk është term i ri, por pasioni që e shoqëron prej më se një dekade. Ky art, që thuhet se i ka rrënjët në Egjiptin e hershëm, në Shqipëri po hedh hapat e parë. Material bazë ka letrën, e cila pritet në shirita të hollë që më pas palosen, mbështillen ose përdridhen, në varësi të rezultatit të dëshiruar.
Ndonëse me këtë teknikë realizohen një mori punimesh, shumica e njeh Dorin për koleksionin e veshjeve popullore, ku është puqur pasioni për etnografinë dhe për quilling. Çdo punim zë fill me një skicë, pasohet nga përzgjedhja e letrave dhe prerja e tyre e më pas fillon puna. Kostumi «ildiset» me ndihmën e gjilpërave me kokë, që ngulen e shkulen qindra herë, derisa çdo copë letër gjen vendin e vet.
Për të lidhur punimin, me penel të zhytur në ngjitës preket tërë sipërfaqja e punuar. Pasi ngjitësi thahet, punimi lyhet e pispolloset me llak, por jo nga ai i flokëve. Kjo e bën rezistent ndaj lagështisë së ambientit dhe vetisë së natyrshme të letrës për t’u zbehur me kohë.