Super të pasurit e dogmat e tyre ekonomike
Në çdo fillim viti ‘të mirët, të pasurit dhe të mëdhenjtë’ takohen në Davos të Zvicrës për të diskutuar se si po ndryshon bota e në shërbim të kujt dhe se si drejtuesit e korporatave dhe politikanët me përvojë duhet t’i përgjigjen këtyre ndryshimeve. E ndërsa tinëz siskutohet se si mund të bëhet më e përfitueshme për ta.
Në këtë takim, këta njerëz të rëndësishëm kalojnë shumë kohë për të bindur njëri-tjetrin por edhe mbarë njerëzimin se po krijojnë një botë më të begatë se sa kemi parë ndonjëherë më parë në histori. Pa praktikat e tyre të biznesit, investimet e tyre gjetkë, talentin e aftësinë sipërmarrëse e gjithashtu filantropinë e tyre, të zakonshmit do ta kishin të vështirë ta imagjinonin sesa keq do të ishim.
Ajo që është e frikshme mbeten mitet që kërkojnë të na ushqejnë elitat të cilat kanë përftuar fuqi e pozitë të jashtëzakonshme e që është pothuaj e pamundur t’i mposhtësh. Idea e krijimit i fuqive të tregjeve jo të mirëbalancuara e në shërbesë të të paktëve, nëqindra specie në rrezik zhdukjeje, një biodiversitet të prishur fund e krye, rritja e hendekut mes të pasurve e të varfërve, janë pak nga ato dështime morale të kapitalizmit.
Janë pikërisht ato që paraqiten tipare normale të sistemit socio-ekonomik modern që paraqesin një pengesë serioze për ndërtimin e një bote më të drejtë, më të qëndrueshme për shumicën dërrmuese të njerëzimit. Kemi mbetur ende me besimin se thjesht duhet t’i lëmë ‘të mirët, të pasurit dhe të mëdhenjtë’ të vazhdojnë me diskutime e tyre. Paskëtaj e gjithë varfëria, pabarazia dhe shkatërrimi i mjedisit i krijuar nga kapitalizmi i tyre jashtë kontrollit do të zgjidhen në kohë të dytë.
Ajo që besohet është një mit: Bota nuk do të ‘shpëtohet’ nga një grup i vogël super të pasurish e dogmat e tyre ekonomike. Shpresa qëndron në sfidimin e mendësisë prej njerëzve të zakonshëm, në nxjerrjen e mësimeve nga miliona këndvështrime të ndryshme se një botë më e mirë për të gjithë është absolutisht e mundshme. Përtej mundësisë që të pasurit të pasurohen akoma më shumë. si një qëllim kryesor dhe në vend të kësaj drejtohet nga dëshira për një botë më të barabartë, të qëndrueshme, demokratike dhe më të drejtë.