Bujqësia moderne nuk është krijuar për bujkun e vogël
Në vendet e pasura, shumë bujq ende humbin fermat e tyre, sepse nuk konkurrojnë dot me korporatat e mëdha bujqësore.Edhe në vendet më të varfra, ku deri në 80 % e popullsisë e siguron jetesën duke punuar tokën, shumë bujq të vegjël po përjetojnë ndryshime traumatike.
Firmat ndërkombëtare që përdorin metoda bujqësore industriale mund të blejnë tokën më pjellore që të mbjellin prodhime për tregje të largëta. Bujqit e vegjël që kanë shumë pak makineri ose s’kanë fare, shpesh punojnë nëpër ugare ose nëpër ngastra të vogla që të sigurojnë ushqim për familjet e tyre.
Lëvizja masive e popullsisë nga fshatrat në qytete, që tani po ndodh në shumë vende, është pika kulmore e një procesi që nisi shekuj më parë. Ndryshimi nga një jetë bujqësore në jetën qytetare, ende u sjell dobi disave dhe shqetëson të tjerë. Shumë pak qeveri, për të mos thënë asnjë, kanë siguruar ndihmë të efektshme e të dhembshur për njerëzit e prekur nga ndryshimet.