Brishtësia e bujqësisë shqiptare
Në Shqipëri klasifikimi i sugjeruar për fermat është i tillë: fermat e vogla dhe shumë të vogla kanë madhësi deri në 2 ha; dhe fermat e mëdha janë ato më të mëdha se 2 ha, ndërsa fermat shumë të mëdha janë 10 ha ose më tepër. Sipas këtij klasifikimi të propozuar, 86 për qind e rreth 350 000 fermave në Shqipëri janë deri në 2 ha, ndërsa pjesa tjetër (14 për qind) janë më tepër se 2 ha.
Femrat përbëjnë 50 për qind të atyre që punojnë në bujqësi, por drejtojnë rreth 6,5 për qind të të gjitha fermave. Kështu, prodhimi bujqësor është i dominuar plotësisht nga fermerët e vegjël dhe fermat familjare dhe burrat e gratë përballen me realitete dhe nevoja të ndryshme. Bujqësia mbetet një nga sektorët më të mëdhenj në Shqipëri. Bujqësia përfaqëson rreth një të pestën e produktit të brendshëm bruto dhe diçka më pak se gjysmën e punësimit në total, pasi sektori i bujqësisë është i dominuar nga fermat e vogla dhe familjare.
Fermat familjare dhe fermerët e vegjël janë thelbësore për sigurimin ushqimor të popullsisë shqiptare, si dhe për uljen e varfërisë të zonave rurale. Madhësia e vogël e fermave (mesatarisht 1,2 Ha) e kombinuar me fragmentimin (p.sh. 3 ose më tepër parcela për fermë) është një nga sfidat kryesore të sektorit të bujqësisë. Reforma e tokës, e zbatuar në fillim të viteve 1990, sipas së cilës toka shtetërore bujqësore iu shpërnda në mënyrë të barabartë popullsisë rurale, çoi në krijimin e fermave të vogla dhe të fragmentuara që penguan rritjen dhe konkurrueshmërinë e bujqësisë dhe kufizuan mundësitë de facto të grave për të përfituar nga pronësia dhe të drejtat e tokës, e ndër të tjera, nga sistemi i regjistrimit.
Niveli i ulët i investimeve të lidhura me tokën, erozioni, degradimi dhe humbja e tokës bujqësore për përdorime të tjera janë gjithashtu sfida të vazhdueshme. Të ardhurat e ulëta nga bujqësia dhe nënpunësimi bënë që fermat familjare të zhvillojnë strategji jetese bazuar në diversifikimin e të ardhurave që lidhet me emigracionin e një ose disa prej anëtarëve të saj. Mundësitë e reduktuara ekonomike në zonat rurale (brenda dhe jashtë fermës), së bashku me shërbimet e kufizuara sociale, mundësitë për arsimim dhe mirëqenie sociale (përfshirë zbavitjen) bëjnë që shumë anëtarë të fermave familjare të përdorin gjithashtu emigracionin dhe t’i largojnë remitancat nga bujqësia.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, shumë prej fermave dhe fabrikave të suksesshme të përpunimit po drejtohen nga emigrantët e kthyer, të cilët sjellin kursimet si dhe njohuritë e tyre. Për rrjedhojë, emigracioni dhe remitancat e tij duket se po reduktojnë me ngadalë por në mënyrë të qëndrueshme numrin e fermerëve dhe në të njëjtën kohë po kontribuojnë në suksesin e atyre që vendosin të investojnë në bujqësi. Familjet në fermat e vogla kanë akses të kufizuar në treg, të kushtëzuar gjithashtu nga mangësitë në standardet e sigurisë ushqimore dhe në volume, akses të kufizuar në shërbime dhe në inputet me cilësi të lartë.
Keqpërdorimi i pesticideve dhe plehërave kimike, si dhe aksesi i kufizuar në teknologji, mjete të mekanizuara dhe në inovacionet bujqësore janë gjithashtu faktorë kufizues për zhvillimin e fermerëve të vegjël. Infrastruktura sociale dhe fizike e zonave rurale ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm, si dhe përmirësim të aksesit në arsim, formim profesional dhe shërbime këshilluese rurale për meshkujt ruralë dhe veçanërisht për femrat rurale.
Aksesi në financime, si brenda sektorit privat bankar ashtu dhe në subvencione publike është i kufizuar për burrat dhe gratë dhe pengohet gjithashtu nga një sistem i dobët i mbrojtjes sociale.Pensioni për banorët e zonave rurale është afërsisht 60 EUR, pak më tepër se gjysma e pensionit në zonat urbane dhe në rastin e grave, është edhe më i ulët. Vetëm 40 000 persona –nuk ka të dhëna të ndara sipas gjinisë- kontribuuan në skemën e sigurimeve si të vetëpunësuar në bujqësi (shifër shumë e ulët duke pasur parasysh që ka 340 000 ferma në Shqipëri).