Çaji i malit në rrezik zhdukjeje
Çaji i malit është pija e ngrohtë dhe aromatike e cila shoqëron ditët e ftohta dhe sjell nostalgji në familjet shqiptare. Ndryshe njihet si Sideritis Raeseri dhe rritet në zona malore si: Mali i Gjerë, Mali i Stugarës, Mali i Murganës, Mali i Tomorrit, Mali i Thatë, Mali i Nemerçkës, Mali i Çajupit, Mali i Dhembelit, Mali i Rrungajës, Mali i Ostrovicës dhe Mali i Polisit.
Çaji i malit në Shqipëri ka tipar dallues mikro-klimën e vendit e cila i jep cilësi unike dhe mbizotëruese ndaj varieteteve të tjera të çajrave. Ai është i pasur me antioksidant, vajra esencial dhe flavonoide, nuk përmban kafeinë, ka veti antiinflamatore, antibakteriale, antireumatike dhe qetësuese. Trajton ftohjen, gripin, alergjitë, astmën bronkiale, dhimbjet e ndryshme, problemet e tretjes, forcon imunitetin e shumë të tjera .
Vetitë e shumta të kësaj bime mundësojnë që mbledhja dhe shitja e saj të jetë burimi kryesor i të ardhurave për familjet e varfra rurale. Por mungesa e kontrollit gjatë mbledhjes në natyrë, degradimi i habitatit nga kullotja e bagëtive dhe shkatërrimi nga zjarret kanë ndikuar ndjeshëm në zvogëlimin e bimësisë së çajit duke e bërë pjesë në Librin e Kuq të bimëve të rrezikuara në Shqipëri.
Aleksandra Stambolliu