Carbon Footprint – Ç’është gjurma e karbonit dhe si mund të minimizohet ajo
‘Carbon Footprint’ ose gjurma e karbonit është sasia totale e gazrave serë që vijnë nga prodhimi, përdorimi dhe mbetjet e produkteve. Ai përfshin dioksid karboni, metan, oksid azoti dhe gazrat e fluorizuar, që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë dhe shkaktojnë ngrohjen globale.
Pjesa më e madhe e gjurmëve të karbonit vijnë nga transporti, shtëpia dhe ushqimet. Gjurma e karbonit është një mjet shumë i rëndësishëm për të kuptuar ndikimin e sjelljes së një personi në ngrohjen globale.
Ju mund të llogarisni gjurmën tuaj të karbonit duke llogaritur:
- Sa km udhëtoni me makinë, autobus ose aeroplan.
- Sa energji përdorni në shtëpi.
- Sa shpenzoni në blerje.
- Përbërja e dietës tuaj.
Si të zvogëloni gjurmën tuaj të karbonit?
Transporti
Shmangni udhëtimet me makinë (çdo litër karburant i djegur në një motor makine lëshon mbi 2.5kg dioksid karboni). Filloni të ecni, përdorni biçikletën ose transportin publik.
Ushqimi
Ulni konsumin e produkteve shtazore. Konsumoni ushqime sezonale dhe të vendit sepse transporti brenda vendit nënkupton më pak ndotje. Ricikloni ose i ktheni në pleh mbetjet organike.
Përdorimi i ujit
Përdorni lavatriçe dhe pjatalarëse vetëm kur ato janë të mbushura. Mblidhni ujin e ftohtë në sekondat e para të dushit për të ujitur bimët.
Përdorimi i energjisë
Kujdes me temperaturën e shtëpisë tuaj, 1ºC më pak ul çlirimin e gazrave të dëmshëm dhe faturën e energjisë me 5-10%. Përmirësoni izolimin e shtëpisë që të mos nxjerri nxehtësinë kur është ftohtë dhe në verë të mos fus nxehtësinë nga jashtë. Hiqeni karikuesin e celularit nga priza sepse ai harxhon energji elektrike edhe kur nuk është i lidhur me celularin. Fikni dritat kur nuk ju duhen dhe përdorni drita që kursejnë energji siç është LED.
Menaxhimi i mbetjeve
Mos blini produkte që nuk ju nevojiten, reduktoni ato që ju nevojiten, ripërdorni dhe ricikloni. Shmangni blerjen e qeskave për blerjet dhe ripërdorni çantën tuaj ekologjike. Zgjidhni produkte me pak ose pa paketim sepse ul kostot e prodhimit.
Nga Aleksadra Stabolliu