Çdo ditë më shumë se dje!
Eglantina Gjermeni se modeli i fisëm i një gruaje në politikë
Çdo ditë më shumë se dje! – kjo është motoja që e ka udhëhequr Eglantina Gjermenin në jetën personale e profesionale! Ajo, përherë e paqtë dhe shumë e fisme është frymëzimi i gruas së fortë dhe të urtë, e cila në harmoni gati mistike arrinë ta lartësoj vetën, tjetrin dhe të tjerët. Eglantina ka përfunduar studimet në degën e Historisë, në Fakultetin Histori-Filologji, në vitin 1990. Më pas, ka kryer Studimet në Kursin Pasuniversitar në “Punë Sociale” pranë Fakultetit të Punës Sociale në vitin 1993-1994. Studimet “Master në Punë Sociale” në Grand Valley State University, në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kurorëzon me suksese të jashtëzakonshme në vitet 1997-1998.
Aktualisht ajo mban gradën shkencore Doktore e Shkencave në Punë Sociale nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Për shumë vite, Eglantina ka dhënë kontributin e saj të vyer në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale pranë Universitetit të Tiranës dhe jo vetëm si lektore, por edhe si autore e programeve dhe lëndëve të ndryshme.
Për një periudhë dhjetë vjeçare (1999-2009), Eglantina Gjermeni ka qenë drejtore ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, organizatë joftimprurëse që promovon krijimin e një shoqërie të mundësive të barabarta. Eglantina është angazhuar vazhdimisht edhe si konsulente në Shqipëri dhe në rajon. Ajo është autore ose bashkëautore e disa librave, si edhe një sërë artikujve në revista shkencore komëbtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2013, Eglantina emërohet Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Ndër vite ajo është dalluar për maturinë e urtësinë, për punën e shkëlqyer dhe përgjegjsinë e rrallë kundrejt pozicioneve që i qenë besuar! Por, mbi të gjitha, Eglantina Gjermeni matanë dekadave do mbahet mend për modelin shembullor të një gruaje profesioniste në politikë; për imazhin e shkëlqyer të një gruaje që as politika e as ashpërsia e një vendi të sertë nuk arritën ta tëhuajsonin!
- Eglantinë është kënaqësi shumë e veçantë që sot po shkëmbejmë ca llafe bashkë! Ndër vite, ti ke qenë një model i shkëlqyer i gruas në politikë. Si mendon, a është e zorshme në një kohë jo krejt të lehtë që, mbi çdo titull tjetër, të jesh njeri?
Eglantina Gjermeni: Kënaqësi edhe për mua, Fjollë e dashur, të jemi bashkë e të bisedojmë. E fillove bisedën me një pyetje të bukur dhe të qëlluar! Nuk është e lehtë të jesh “njeri” në kohërat që po jetojmë. Kur flasim për “njeriun” kam parasysh një individ, grua apo burrë, të ri a të moshuar, që ka personalitet, integritet e njerëzillëk dhe që mbart vlera e tipare të respektuara në shoqëri. Koha që jetojmë, shpesh nxjerr në pah antivlera dhe individë, të cilët jo gjithmonë bartin vlerat që ne i dëshirojmë apo që na pëlqejnë. Për fat të mirë, njoh plot njerëz të fisëm e me tipare të shkëlqyera, të cilët i çmoj dhe respektoj shumë! Madje, ku ka më mirë sesa këto modele të virtytshme t’u mësohen edhe fëmijëve tanë! Unë besoj fort që e mira, njerëzorja, njerëzillëku, mbijetojnë përtej çdo vështirësie. Ato ia dalin mbanë gjithmonë.
Eglantina, së fundmi je ngarkuar me një punë shumë të rëndësishme matanë kufirit të Shqipërisë. A mund të na tregosh ca më tepër rreth këtij angazhimi?
Eglantina Gjermeni: Është përnjëmend përgjegjësi e veçantë angazhimi që kam së fundmi në Këshillin e Evropës. Në fakt, prej disa vitesh jam anëtare e delegacionit nga Parlamenti i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg. Këtë vit u zgjodha Kryetare e Nënkomisionit për Barazi Gjinore!
Padyshim, për mua qe nder dhe përgjegjësi e madhe. U ndjeva shumë mirë si shqiptare dhe si një njeri që i ka fort për zemër të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Doemos është përvojë e rrallë të ndjekësh diskutimet mbi çështjet e barazisë gjinore dhe dinamikat e tyre në vendet anëtare të Këshillit të Evropës; të vëzhgosh mënyrat se si trajtohen këto çështje, çfarë mund të bëjnë qeveritë, institucionet dhe shoqëritë civile në këto vende për të garantuar të drejta të barbarta de jure dhe de facto për gratë dhe burrat.
Veç këtij pozicioni, kisha kënaqësinë të zgjidhesha edhe raportuese për një çështje që sërish e kam për zemër: Pjesëmarrja e grave nga grupet e nënpërfaqësuara në vendimmarrje e në politikë. Fillimisht janë zhvilluar dhjetëra intervista me përfaqësuesit e vendeve të ndryshme të Evropës, me synimin për të mësuar nga praktikat e tyre më të mira; për të njohur sfidat me të cilat ballafaqohen gratë nga grupe të nënpërfaqësuara përpara se ato të përfshihen në proceset vendimmarrëse; si dhe për të evidentuar faktorët apo programet që i kanë ndihmuar këto vende t’ia dalin mbanë. Për shkak të pandemisë, u detyruam që të gjitha intervistat t’i realizonim online.
Për mua ishte përvojë e veçantë dhe frymëzuese! Mësova shumë! Raporti u miratua pa asnjë amendim në Komisionin e Barazisë Gjinore në Këshillin e Evropës. Ndërkaq pritet të diskutohet dhe të miratohet në Parlamentin e Këshillit të Evropës brenda muajit qershor. Më pas, rezultati që do të miratohet nga ky raport, gjetjet dhe rekomandimet do t’u dërgohen gjithë vendeve anëtare. Mendoj që këto dy përvoja më kanë rritur shumë profesionalisht e më kanë motivuar në punën që bëj, sidomos për të promovuar e mbështetur gratë dhe vajzat.
Ndër vite, cilat kanë qenë xixëllonjat që t’i kanë ndezur shpresat për të dhënë e falur nga vetja?
Eglantina Gjermeni: Ah, ka shumë xixëllonja që m’i kanë ndezur shpresat dhe më kanë ndihmuar të jem kjo që jam sot e të ballafaqohem me çdo sfidë pa frikë. Prindërit e mi të shtrenjtë më kanë rritur e më kanë mësuar me ca vlera për të cilat jam krenare, por edhe më kanë ndihmuar shumë në çdo hap timin.
Familja ime e çmuar, bashkëshorti, Eriku (djali, 28 vjeç) dhe Megi (vajza, 14 vjeçe) kanë qenë dhe janë frymëzim, motivim dhe mbështetje e jashtëzakonshme. Kam qenë gjithaq e bekuar nga Zoti se, veç prindërve e familjes sime të vogël, jam rrethuar me mikesha e miq të mirë, që i kam patur e i kam pranë në momente të bukura e të vështira; që më mbështetin e më kritikojnë kur duhet; që më dëgjojnë, por edhe më japin një mendim a sugjerim kur kam nevojë.
Kurse sa u përket punëve që jam zotuar të kryej, besoj se përherë më ka lehtësuar përkushtimi, përgjegjshmëria dhe dashuria me të cilën nisem për t’i bërë gjërat siç duhet!
Ti ke mbajtur mbi supe detyra e përgjegjësi goxha të mëdha për dy dekada! Deri më sot, cilat punë, projekte, andrra të flejnë akoma në xhan?
Eglantina Gjermeni: Është e vërtetë, detyrat si ministre apo deputete kanë qenë detyra me plot përgjegjësi, por, nga ana tjetër, ishin vlerësim e besim tejet i madh. Është privilegj të qenurit në pozicione nga ku mund të kontribuosh për vendin tënd.
Tani që po largohem nga politika, po mendoj realisht për ato që dua të bëj, pikërisht projektet që “më flejnë akoma në xhan” siç e thua kaq bukur ti. Pa mëdyshje, do ta vazhdoj punën time për një shoqëri të mundësive të barabarta, duke promovuar e mbështetur gratë, vajzat dhe grupet e tjera në nevojë. Madje, falë përvojave të pasura që fitova në këto vite, them se mund të kontribuoj edhe më mirë sesa dikur.
Kam dëshirë që mësimet e nxëna ndër vite të vazhdoj t’i ndaj me studentët përmes mësimdhënies, por edhe me gratë e vajzat që dëshirojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes. Mësimdhënien dhe konsulencën apo trajnimet dëshiroj t’i vazhdoj në nivel rajonal, pse jo edhe më tej.
Një jetë mes librave, studimit, kërkimit e përpjekjeve. A mbaron ndonjëherë udha e urtisë?
Eglantina Gjermeni: Udha e urtisë nuk mbaron kurrë, të paktën kështu besoj unë. Edhe kjo gjë më pëlqen shumë e më jep kënaqësi të veçantë. Përpiqem të mësoj çdo ditë nga ato që lexoj, nga njerëzit që takoj, nga përvojat e përditshme dhe nga gjithçka që më rrethon. Të mësuarit është një proces i bukur që të rrit në shpirt e në zemër, të bën më të zonjën, të ndriçon mendjen dhe padyshim të pasuron në njohuri e aftësi. Përveç leximit apo edhe përvojës së përditshme të punës, mundohem të ndjek kurse trajnimi apo ëorkshops (kohët e fundit, çdo gjë ndiqet live ose online për shkak të pandemisë) që të përditësoj njohuritë a shprehitë e mia, të mësoj gjëra të reja, të sistemoj dhe perfeksionoj ato që di.
Madje, në këtë periudhë, ndoqa disa kurse online në leadership dhe statistika gjinore. Gjithashtu ndoqa një kurs të ILO-s (Organizata Ndërkombëtare e Punës) ku u certifikova edhe si auditore për çështjet gjinore (Gender Auditor). Pra, mësimdhënien e mësimnxënien nuk i ndaj dot nga njëra-tjetra, sepse të dyja më japin kënaqësi dhe i shijoj në shpirt!
Sa e pasur është Shqipëria: më pak sesa duam apo më shumë sesa e paragjykojmë?
Eglantina Gjermeni: Shqipëri është e bekuar nga Zoti dhe nga natyra. Është e pasur me gjithçka të bukur që duhet për të jetuar normalisht në mes të Evropës. Ka çdo gjë që na duhet: bukuritë natyrore, kulturën, historinë, ushqimin, gatimet, mikpritjen! Për të gjitha këto, ne mund dhe duhet të krenohemi! Na takon të gjithëve ta duam më shumë vendin e të bëjmë të gjithë pak më shumë për të qenë pjesë e Evropës jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe të ndihemi realisht qytetarë evropianë.
Ushqen shpresë për turizmin, për fshatin, artin, gruan e zanatin?
Eglantina Gjermeni: Besoj shumë se turizmi dhe bujqësia janë dy degët, për të cilat kemi potenciale pafund për t’i zhvilluar, por edhe që mund të sjellin punësim e mirëqenie në Shqipëri. Kam goxha shpresë te turizmi dhe te zhvillimi i bujqësisë, sidomos te zhvillimi i agroturizmit, gjë që ndihmon në zhvillimin e turizmit lokal, por patjetër edhe të atij ndërkombëtar. Nuk kam dyshime se në të gjitha fushat, madje edhe në bujqësi, turizëm e agroturizëm, gratë kanë treguar se dinë dhe mund t’ia dalin me sukses e të bëhen model frymëzimi për gra e vajza të tjera.
Nuk je ndalur ndonjëherë së përpjekuri për të drejtat e grave! Nga të buron kjo forcë?
Eglantina Gjermeni: Mbase e përmendëm pak edhe te pyetjet më lart këtë fakt, por dua të shtoj se unë besoj fort te të drejtat e grave, tek aftësitë e potencialet e tyre (shpesh të pashfrytëzuara), besoj te një shoqëri ku gratë dhe burrat mund të vlerësohen pa u diskriminuar për shkak të gjinisë; ku ato/ata respektohen për shkak të arritjeve dhe aftësive!
Besoj te një shoqëri pa dhunë. Mbase këto që them mund të duken ideale, por po të përpiqemi: individë, institucione, shoqëri civile, media e akademi, atëherë të gjithë bashkë mund t’ia dalim. Edhe rruga që kemi bërë deri këtu, nuk është pak. Disa vite më parë, as që mund ta mendonim të kishim gjysmën e qeverisë gra; 30 % të parlamentit gra e vajza; gati 60 % e administratës gra e vajza, thuajse 40 % e grave këshilltare në këshillat bashkiakë dhe plot gra të suksesshme në biznes, etj. Ndaj, jam optimiste!
Po dashnia e nënës brenda teje?
Eglantina Gjermeni: Ah, dashnia e nënës, dashni që nuk zëvendësohet kurrë! E them me zemër se jam e bekuar më dy fëmijët që kam dhe mundohem shumë të bëj më të mirën për ta, si të gjitha nënat. Për shkak të angazhimeve në jetën profesionale e politike, e ndiej se nuk u jam gjetur pranë gjithmonë, ndjenjë faji kjo që më ka rënduar shpesh.
Gjetja e një balance mes familjes, fëmijëve e përkujdesjes për ta dhe angazhimit profesional, ka qenë shumë e vështirë dhe shpesh e pamundur. Gjithsesi, besoj se fëmijët e mi kanë mësuar shumë edhe nga kjo. Dashuria nga unë, nga babai i tyre e bashkëshorti im dhe dashuria e prindërve tanë nuk u ka munguar kurrë. Tani, meqë folëm për dashurinë e nënës, nuk rri dot pa përmendur mamanë time të ndjerë, e cila prej tre vitesh nuk jeton më. Kam mësuar pafund nga qetësia, fisnikëria e përkushtimi i saj. Më mungon shumë, por mundohem që mësimet e saj t’ua përcjell fëmijëve të mi.
Ç’simbolizon lejlaja (vjollca) për ty?
Eglantina Gjermeni: Ngjyra ime e preferuar është ngjyra vjollcë (dhe sigurisht nuk ka lidhje vetëm më politikën). Më pëlqen si një ngjyrë e bukur, e ngrohtë, që nuk t’i vret sytë, ngjyrë potente, krenare, si vetë lule vjollca, madje edhe e paqtë. Me sa duket, fakti që lejlaja është kombinim ngjyrash tregon që është më e plotë, madje dëfton se ka marrë më të mirën prej tyre.
7 libra që s’do luajnë vendit nga sofra jote?
Eglantina Gjermeni: Librat i dua fort e ndihem keq që jo gjithmonë kam kohën e duhur për të lexuar aq sa do të doja. Në periudha të caktuara të jetës time kam pëlqyer libra e autorë të ndryshëm, të cilëve u rikthehem kohë pas kohe.
Për shkak të angazhimeve profesionale (mësimdhënia, angazhimi në shoqërinë civile, etj.) e më pas angazhimit në politikë, spektri i librave që më është dashur të lexoj apo t’u referohem është i gjerë, por më poshtë do të ndaj vetëm disa prej librave që pëlqej më shumë:
“Harku i triumfit” dhe “Tre shokë” nga Erich Maria Remarque
“Ana Karenina” nga Leo Tolstoi
“Alkimisti” nga Paulo Coehlo
“Për kë bie kambana” nga Ernest Hemingëay
“Shtëpia e shpirtrave” nga Isabel Allende
Së fundmi, librave të mi më të dashur u është shtuar edhe saga me katër volume “Mikesha gjeniale”, e autores Elena Ferrante.
7 andrra që pret për me ja u pa dritën në atdhe?
Eglantina Gjermeni: Ah, andrrat! Sa shumë andrra kemi të gjithë! Mbase nuk mund t’i rendis si 7 andrra, se ndonjëherë më duket sikur andrrat janë pak të largëta për t’u arritur, ndaj do të mundohem t’i rendis si dëshira që shpresoj shumë të realizohen përmes kontributit të gjithsecilit prej nesh. Uroj, shpresoj e besoj shumë që Shqipërinë ta bëjmë më të mirë, më të bukur, më të begatë për ne të gjithë e, mbi të gjitha, për fëmijët tanë.
Do të doja shumë që Shqipëria të ishte më sociale, më solidare, me më shumë shërbime sociale për fëmijët, familjet, të moshuarit dhe për individët me aftësi ndryshe. Dua fort që gjithë çfarë Shqipëria ka, si e bekuar nga Zoti e natyra që është, të kthehet në zhvillim, punësim e mirëqenie! Më shumë turizëm, më shumë zhvillim rural, më shumë punësim, më shumë të ardhura për familje, do të thotë jetë me dinjitet!
Do dëshiroja shumë që gratë dhe vajzat të respektohen e vlerësohen më tepër, të jenë të zonjat e vetes dhe të marrin vendime për jetën e tyre, të kenë hapësirë për të kontribuar me gjithë potencialet e aftësitë që gëzojnë. Ah, sa dua që të minimizohet e madje të eleminohet dhuna! Dhuna ndaj grave, dhuna në familje! Kështu, do të jetonim së bashku në një shoqëri pa dhunë. Nuk dua të tingëlloj si utopike. Ndaj nuk shkrova andrra, por dëshira. Fakti që shumë vende të tjera i kanë arritur këto që sapo përmenda, tregon se edhe ne mundemi.
Bisedoi Fjolla Spanca