Mirëqenia e kafshëve
Në formën e saj më të thjeshtë, mirëqenia e kafshëve i referohet marrëdhënieve që njerëzit kanë me kafshët dhe detyrës që ata kanë për të siguruar që kafshët nën kujdesin e tyre të trajtohen njerëzisht dhe me përgjegjësi.
Përkujdesja dhe mirëqenia e kafshëve është një concept që ka ekzistuar që nga zbutja e kafshëve të para, e cila ndodhi të paktën 10,000 vjet më parë në kohën e Neolitit. Vlerësimi dhe respekti që njerëzit e asaj epoke patën për kafshët çoi në zbutjen e tyre, zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Shumë historianë e konsiderojnë zhvillimin e bujqësisë si ngjarjen më të rëndësishme në të gjithë historinë e njerëzimit. Etika e mirëqenies së kafshëve që u zhvillua në epokën neolitike është ajo që i detyron njerëzit të marrin në konsideratë mirëqenien e kafshëve të tyre në mënyrë që të arrijnë qëllimet e tyre në mënyrë të qëndrueshme me parimin se “Nëse ne kujdesemi për kafshët, kafshët do të kujdesen për ne”. Kjo justifikon edhe faktin që sot e kësaj dite kemi ende kafshët e fermës si 10.000 vjet më parë falë përkujdesjes së vazhdueshme të njerëzve në epoka të ndryshme.
Dr. Bernard Rollin, një profesor i shkencave të kafshëve në Universitetin Shtetëror të Kolorados, argumenton, se teknologjia e shekullit të 20-të prishi këtë kontratë të lashtë me natyrën kur na lejoi të vendosnim kafshë në mjedise dhe përdorime që nuk dëmtonin produktivitetin e tyre, por dëmtonin mirëqenien e tyre. Kjo përcakton sfidën sot, nevojën për të siguruar nivele të pranueshme të mirëqenies së kafshëve në një kohë kur prodhimi bujqësore është industrializuar, në harkun e 2 shekujve të fundit.
Në epokën moderne, nëse marrim shembull Shtetet e Bashkuara, vetëm 2% e një popullsie jeton në ferma dhe vetëm 1% praktikon bujqësinë si profesion. Kjo vjen në contrast të ashpër me mesin e viteve 1800 kur 90% e amerikanëve ishin fermerë. Nëse këto prirje vazhdojnë, bujqesia industriale e intensive do të mbetet alternativa e vetme në të ardhmen, një situatë që e bën mirëqenien e kafshëve një temë edhe më të nxehtë për t’u diskutuar.
Parimet dhe politikat e mirëqenies së kafshëve njihen tashmë mirë nga fermerë dhe blegtorë të përgjegjshëm, e shumë të tjerë të cilët veprimtarinë e tyre e lidhin me kafshët. Në prioritet të veprimtarisë së tyre ndaj mirëqënies së kafshëve kanë sigurimin e ushqimit të shëndetshëm, ujit të freskët, kujdesin veterinar, trajtimin e duhur, shoqërizimin në tufë dhe vitet e fundit është marr në konsideratë dhe ambjenti ku jetojnë dhe kullosin, zakonisht bagëtitë.
Disa nga metodat e vlerësimit të mirëqënies së kafshëve janë tipare si si niveli i energjisë që ato shfaqin, oreksi, pamja e qëzofit të tyre, shkëlqimi i syve, etj. Disa biznese përdorin metoda shkencore të tilla si matja e niveleve të kortizolit në gjak për të vlerësuar nivelet e stresit. Kur ekzistojnë praktikat më të mira dhe kafshët duken komode dhe të shëndetshme, niveli i mirëqenies së kafshëve zakonisht konsiderohet i pranueshëm.
Këtu janë pesë të drejtat themelore të mirëqënies së kafshëve:
E drejta për t’u ushqyer:bëhet fjalë për sigrimin e ushqimit të shëndetshëm dhe ujit të freskët e të një diete ushqimore që nuk dëmton shëndetin;
E drejta e rehatisë: sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm duke përfshirë strehim dhe një hapësirë të rehatshme pushimi.
E drejta për mos pësuar dhimbje, lëndime, vuajtje: ka të bëjë më marrjen e masave efikase për parandalimin ose diagnostikimin dhe trajtimin e shpejtë të sëmundjeve.
E drejta për t’u sjellë sipas natyrës së tyre: duke siguruar kështu hapësirë të mjaftueshme për të kullotur, endur lirisht , dhe shoqërizim mes llojit të tyre.
E drejta të mos frigohen: duke siguruar kushte dhe trajtim që shmangin shqetësimet mendore.