CoSolve-19 në ndihmë të bizneseve të vogla të prekura nga pasojat e pandemisë

CoSolve-19 është një iniciativë e përbashkët e Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë Shqiptare, e cila zbatohet nga GIZ për t’iu përgjigjur pasojave shkaktuar nga COVID-19 e cila ka goditur rëndë ekonominë shqiptare.
Qëllimi i përgjithshëm është mbështetja e NMVM-ve të prekura rëndë nga pasojat e krizës së COVID-19 në Shqipëri, pikësëpari për të ruajtur punësimin dhe pse jo edhe për ta rritur atë. Në realizimin e kësaj iniciative, ProSEED dhe SRD synojnë të japin një kontribut të rëndësishëm për NMVM-të anë e mbanë Shqipërisë në sektorët e bujqësisë, turizmit, tregtisë me pakicë dhe prodhimit. Gjithashtu, NMVM-të do të forcohen në përdorimin e zgjidhjeve të reja digjitale dhe inovacionit, jo vetëm për të amortizuar krizën aktuale, por edhe për t’i përshtatur aktivitetet e tyre me qëllim adoptimin në situatën e re post Covid.
Këto qëllime do të arrihen duke u ofruar NMVM-ve këshillim dhe trajnime të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale duke përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të ideve të tyre. Procesi i këshillimit dhe trajnimit në thelb është i strukturuar në tre hapa:
Hapi 1 – do të rezultojë në planin individual të ndërhyrjes për çdo biznes.
Hapi 2 – do të zhvillohen trajnime specifike për ndryshimin/përshtatjen e planit individual të biznesit sipas planit të veprimit të hartuar në hapin e parë.
Hapi 3 – ka të bëje me vijimin e këshillimit/trajnimit në fazën e zbatimit të planit të ri në biznesin përkatës.
Të tre hapat do të zbatohen brenda një periudhe maksimale prej 4 muajsh në varësi të nevojave, disponueshmërisë dhe vendndodhjes së aplikantit.
Të gjitha NMVM-të që kanë marrë pjesë me sukses në seancat e trajnimit dhe ato këshillimore dhe që nuk kanë mundësi të aplikojnë në skema financiare të donatorëve të tjerë, kanë mundësinë të bëjnë kërkesë për grante të vogla nga ky instrument. Gjithsesi, NMVM-të duhet të jenë të ndërgjegjshme se ky instrument nuk mund të mbulojë të gjitha nevojat e tyre financiare.
Procesi i përzgjedhjes për grante do të bëhet nëpërmjet një thirrjeje tjetër në një fazë të mëvonshme. Përfituesit e granteve gjithashtu do të përfitojnë edhe trajnime të tjera shtesë në fazën e zbatimit të projekteve të tyre. Trajnime të tjera do të mund të ofrohen edhe për NMVM-të që nuk kanë kërkuar ndonjë mbështetje financiare, por që kanë nevojë për këshilla të vazhdueshme gjatë gjithë fazës së ndryshimit të tyre për tu adoptuar në situatën e re post Covid.
Për më tepër: CoSolve-19