Dashnija është çelësi për tek Përsosunia
Kur kalon portën e madhe prej druni tek Kalaja e Toptanëve mu në zemër të Tiranës, të duket sikur po futesh në një botë imcake që matanë rrëmujës, dalldisjes urbane e pluhurit të harresës – mu kjo kala ka mbijetu si për t’i tregu shoqërisë se kryeqyteti i shqiptarëve ndën mote është mbrujtur me traditë e kulturë të sojshme, anise sot pak fare kujtime kanë mbetur. Fill të sëmbon një ndjenjë mes fajit e mallit teksa përpiqesh me e njoftë më në xhan të shkuarën dhe të tashmen! Madje, derisa eci tanë kërshëri e habi, si pa dashje gjej vetën para studiosë së porcelanit, SEFERI.
Çel – mshel sytë, mua më duket gati si ëndërr! Një botë çuditërisht e vërtetë dhe e dashurueshme deri në placë! Biles, akoma pa e marrë vetën mirë, një djalë i vockël por tepër i sjellshëm më përshëndet me përunjësi të admirueshme – mirësi kjo e papërfillshme për jetën kaotike të Tiranës. Mbas tij, buzëqeshje djellore më falin edhe të zotët e asaj shtëpizë nur-shumë! Janë Eda dhe Gerti. Dy njerëz të rrallë e dashuronjës të shquar arti! Unë, nuk durohem pa e grish një fije urtninë dhe dituninë e tyre. Ndaj, i pyes:
- Eda, ku i ka rrënjët pasioni yt për të bukurën dhe artin?
Fëmijëria eshte fillesa. Ambienti dhe njerëzit që janë pjesë e jetës, rrethi shoqëror i prindërve. Të gjitha këto elementë kurojnë estetikën, të bukurën në mënyrë naturale e pa sforco.
- Si fillon udhëtimi i familjes Seferi në botën e artit, në zbukurimin e porcelanit dhe jo vetëm?
Im atë eshte kryefjala (qesh). Në vitin 1968 ishte në kërkim të një pasioni, ideje për të aplikuar fotografinë në porcelan dhe në tekstil. Formimi i tij e ka pikënisjen në liceun artistik «Jordan Misja». Rreth moshës 25-vjeçare u formua si fotograf dhe pati eksperiencën e parë te punës në Kinostudion «Shqipëria e re» në fabrikën e porcelanit, në shtypshkronjën «Mihal Duri» dhe më pas në Dekorin e Tiranës. Gjithë kjo përvojë e ndihmoi për të realizuar ëndrrën e tij «Foto Porcelani»
Kujtoj me nostalgji që në repartin e Foto Porcelan-it ishte një qoshk i paqtë ku babi herë pas here dekoronte me pasion pjata me ngjyra të ngrohta e realiste. Ndër vite ky pasion mbështetej nga njohuritë e mamit e cila punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe sillte në shtëpi albume e katalogë. Informacione te cilat ishim me fat ti shikonim në ato vite.
- A kuptohen kollajshëm brezat brenda familjes tuaj?
Brezat… kemi shumë debate, konstruktive sigurisht. Më parë, debate kisha unë dhe motra ime Ada kundrejt tim ati. Tanimë unë kam kaluar në anën e tij dhe këshillojmë Martinin, tim bir. Ish student i liceut artistik «Jordan Misja» dhe tani student në universitet për art design. Ai është sot artisti kryesor i studios tonë.
- Cilat janë pikëtakimet mes jush dhe artistëve të rinj që po dalin nga sofra juaj?
Duhet të jem e sinqertë, unë nuk jam artiste e mirëfilltë. Jam diplomuar për gjuhë e letërsi shqipe, pasion që fle diku tek unë. Prandaj dhe ne kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë me shumë artistë të ndryshëm. Ka ndodhur shpesh që artistët kanë ardhur për të hedhur punët e tyre në porcelan dhe krejt natyrshëm kemi gjetur pikëtakimet tona. Sigurisht duke i mbetur besnik kulturës, traditës dhe vlerave që ne përcjellim ne sofrën tonë.
- Prekja jote mbi porcelain shkon përtej çdo fjale. Pra, ju sikur derdhni shpirt tek 4do punim … nga ku burojnë frymëzimi, vullneti e përkushtimi?
Shumë faktorë frymëzimi u përmendën pak më lartë (familja, studimet, ambienti), por unë personalisht frymëzohem nga bukuritë e natyrës, traditat dhe zakonet e vendit tonë. Shqipëria po fiton emër nëpër botë dhe çdo vit ne presim vizitorë kureshtarë, kam dëshirë t’i tregoj gjithsecilit prej tyre ata anë që nuk njihen nga Shqipëria jonë e bukur.
Vjen një moment kur i bën bashkë të gjitha: frymëzimin, vullnetin, përkushtimin dhe pasionin që të gjithë ata që vijnë tek studio jonë të largohen me nje copëz vlere dhe tradite. Ndaj dhe ne punojmë me gjithë shpirt çdo objekt porcelani që sjellim tek publiku ynë.
- Si realizohet pjesa ma e madhe e punës tuaj? Sa kohë do? Teknikat?
Çdo punë e jona kalon në disa etapa; konceptimi, përpunimi, aplikimi në porcelan, pjekja, korigjimi dhe ekspozimi. Ne përdorim teknika të ndryshme të cilat shpeshherë dhe ndërthuren në funksion të punës finale. Një nga teknikat tona është punimi krejtësisht me dorë, i cili është proçesi më i gjatë i punimit në porcelan. Ai merr rreth dhjetë ditë kohë, është një proçes i tërë që kërkon durim dhe impenjim.
- Me ç’materiale po punoni?
Ne punojmë me porcelan dhe glazura cilësore, të cilat janë kusht i domosdoshëm që produkti të jetë afatgjatë dhe i pa-tjetërsuar. Punimet tona pas aplikimit kalojnë në temperatura 800 deri në 1000°, që e bëjnë produktin tonë funksional dhe jo vetëm dekorativ.
- Si afrohet tradita me motivet bashkëkohore, besa edhe detajet tepër mistike në art?
Ndërthurja e brezave tek studio jonë, pak nga pak po ndihet edhe në punime. Martini u frymëzua nga tradicionalja dhe solli një formë tjetër, më moderne në punimet tona. Kjo ndërthurje bën që dhe brezat e rinj që nuk i kanë njohur vlerat dhe detajet e traditës Shqiptare ti përqasin më thjeshtë.
- Pa të vënë në siklet, cilën pjesë të punës e shijon ma fort?
Shijoj më tepër atë momentin kur gjendem tek Studio dhe ndalojnë njerëz nga rruga dhe pyesin për punët tona. Kur shoh që ata marrin po aq kënaqësi sa dhe ne, më duket sikur misioni im është përmbushur.
- Ke një andërr për studion? Si do doje të vazhdonte kjo traditë?
Pa ëndrrat, çfarë do ishim… !? Përse jo një publik më i gjerë, në qytete te tjera, ndoshta dhe në Kosovë. Projekt tjetër do të ishte kthimi i studios në punëtori (ëorkshop) për të vegjël dhe të mëdhenj që të dekorojnë sipas dëshirës pjatën apo filxhanin nën kujdesin e një artisti të specializuar. Siç e shikon dhe vetë idetë nuk mungojnë por t’ja lemë kohës më mirë…
- Nëse ka një “formulë” të magjishme për punën me porcelanin, cila do ishte ajo?
Pa dalë nga tema, kur gatuaj me nxitim dhe vakti nuk është fort i shijshëm, im shoq Gerti, çelësi i suksesit tonë si Studio më thotë që sot ishte një gatim pa dashuri. E pra dashni sa me shumë në çdo gjë që bëjmë e që na kap dora.