Deti është i vëllait!
-Për vajzën e do? Rozë dmth…
Po të numëroj sa herë e kam dëgjuar këtë pyetje në cdo dyqan që prej gati 12 vitesh…më mirë jo, nuk ia vlen ta humbas atë kohë.
Ama ia vlen shumë e shumë të ndalem te mënyra më e shkurtër, e gabuar, e pamenduar e krejtësisht me pasoja afatgjata,që përdorim shpesh, të gjithë e kudo, pa e ditur a pa e menduar sa gabim po bëjmë: Ndarja e gjërave mes gjinive varësisht ngjyrave.
Dua t’ju tregoj një histori të shkurtër. Është ngjarje e vërtete, e të tilla mund të jetojmë secili prej nesh cdo ditë.
Mamit të dy fëmijëve, një vajzë e një djali i erdhi fort për shtat që të ndante lodrat, librat edhe veshjet në rozë e bojëqiell, ose për vajza e për djem. Shumë më pak andrralla: topin bojqiell e ka vëllai, ti ke rozin…komardarja rozë është e motrës, ti ke atë blunë…peshqirin me vija bojeqiell merr ti, ti tjetra atë me topa rozë…
Derisa një ditë kur shkuan me pushime…vajza 4 vjecare nuk pranoi të hynte të lahej në det…sepse ai ishte blu…ishte i vëllait.
Po ky nuk është vec gabimi i mamit…të gjithë bëjnë kështu…madje rozë ose blu është një trend i jashtëzakonshëm biznesi në mbarë botën.
Po pse psh të mos i mësojmë fëmijët të ndajnë me njëri-tjetërin lodrat e sendet që kanë vlerë për ta? Pse të mos i nxisim të bashkëveprojnë e të respektojnë hapësirën e kërkesat e njëri-tjetrit, pavërësisht ngjyrave?
A nuk do ishte më mirë të gjenim një mënyrë tjetër për t’iu fëmijëve përkatësinë e gjërava të tyre? Të përpiqeshim të kuptonim prirjet e interesat e tyre? Të nisnim një bashkëbisedim me fëmijët mbi të drejtat e tyre e tërë liritë që asesi nuk mund t’I ndalë një ngjyrë?
A nuk do të ishte më natyrale t’i linim ta mbushnin me ngjyra jetën e të ishin ata vetë që do të zgjidhnin cila iu pëlqen?
Kjo është pak më e gjatë si rrugë, e sigurtë. Kërkon vëmendje, durim, përkushtim për të kaluar kohë cilësore më fëmijët. Por nëse nuk e fillojmë ne mamat e tyre, kush mund ta bëjë më mirë edukimin e fëmijëve tanë?
Nga Manjola Lloja Bushati