Dhé by Granita
Kujt i bie rruga kah Prishtina doemos ka me u mahnitë prej punimeve nga argjila. Granita Grezda – Lila është artistja që prej kohësh frymëozon parreshtur qytetarët vendalinjë dhe vizitorët e të gjitha anëve. Arti i dorës së Granitës tashmë i ka kaluar kufijtë e një vendi të vockël duke dëftu me za të naltë se e Bukura është andrra që e paqton njerëzimin kurse tradita – një nënkresë që përkund me fisnikëri të shkuarën dhe të tashmen.
- Granita qysh i ka lëshu rranjët dashnia për pikturën tek ty?
Dëshira për artin apo konkretisht për vizatimin ka filluar qysh në klasën e parë. Më saktë, mu atëherë kur mësuesi u befasua me një vizatim që kisha bërë, punim të cilin më pas e vendosi në vitrinën e artit të shkollës. Me kohë, duke u rritur ajo dëshirë lëshoj rrënjë në mua duke më shtyer që t’i futesha studimeve në akademinë e arteve, në degën e Pikturës.
- Po udhëtimi yt me “argjilën” si nisi?
Me argjilën filloj krejt rastësisht. Sapo kisha lindur vajzën! Qëndroja në shtëpi me të dhe thjeshtë doja diçka ndryshe që ta “mbysja ose mbushja” kohën. Pra, të provoja diçka të re. Argjila ishte diçka komplet e panjohur për mua. Duke punuar ngadalë, nisa ta dashuroja dhe të mos pushoja së krijuar mbi të.
- Nga se frymëzohesh më së shumti?
Në fillim, sigurisht që frymëzohesha nga interneti dhe bëja turli provash. Pastaj me kalimin e kohës fillova ta kuptoj vetën dhe të krijoja stilin tim duke u frymëzuar nga tradita dhe arkitektura, të cilën e kam dashur poashtu si profesion.
- Si i përshtatë Granita motivet tradicionale me rrymimet bashkëkohore?
Përshtatja e motiveve me rrymën bashkëkohore realizohet natyrshëm. Thjeshtësisht, duke i kombinuar motivet me format gjeometrike dhe duke mos i ngarkuar shumë me ngjyra; çfarë i bën punimet të përshtatshme për secilin ambient.
- Cfarë i karakterizon pjatat e Granitës?
Karakteristikë thelbësore është stili që kam krijuar ndër vite. Pastaj, unë çdo punë e bëj me shumë përkushtim dhe pasion! Mendoj se përkushtimi im reflektohet mbi to!
- A mund të ndash pak detaje mbi metodën e punës?
Së pari, i falim formën pjatës apo dekorit prej argjile. Mbasi të jetë tharë, pastrohet me letër zumparaje (zmerile – grithëse) për t’i rrafshuar ato pjesë që duam të jenë më të limuara. Pastaj bëhet dizajni me ngjyra dhe në fund, lyhet me glazur apo shkëlqim – gjë që e mbron ngjyrën dhe pjatën.
- Ç’raport me Tokën dhe natyrën ka argjila?
Argjila duke qenë material që vjen direkt nga Toka është jo vetëm e pëlqyeshme dhe e fisme por edhe krejt e padëmshme kur punohet me të.
- Ndën vite a të duket sikur shoqëria jonë ka fillu me e 4mu punën e dorës?
Shoqëria ka fillu me e çmu punën e dorës, anise jo mjaftueshëm. Mendoj që duhet më shumë kohë dhe vetëdije për ta kuptuar vlerën dhe peshën e madhe që ka zanati!
- Si përshtaten punimet e tua me shijet e klientëve?
Klientët janë miqtë e zanatit tonë! Madje është kënaqësi kur e kupton se puna jote bëhet ura lidhëse ndërmjet njerëzve. Zakonisht, përpiqem që klientëve t’u jap rekomandime të vyera. p.sh. kur një vendas kërkon dhuratë për ta çuar në një vend të huaj, ide e mirë është një pjatë me motive tradicionale me anë të së cilës shpalosen vlerat e vendit! Ndërsa në rastet kur klientët janë prej vendeve jo shqipfolëse përpiqem që t’u jap me vete një pjesë kulture/ kujtim prej Kosovës. Poashtu janë edhe dekoret e personalizuara gjatë ndrrimit të moteve, të cilat nuk mungojnë asnjë vit në Dhé.
Bisedoi: Fjolla Spanca