Drunjtë e shenjtë
Një kapelë e vogël ngritur mbi rrënojat e një kishe të mëhershme në fshatin Mbreshtan të Beratit, rrëzë malit të Shpiragut. E mbuluar plotësisht nga kurora e një lisi shekullor i cili nga banorët e zonës cilësohet po aq i shenjtë sa dhe vet tempulli i ri që ka zëvendësuar në mënyrë ciklike pararendësit e tij.
Banorët flisnin me përulësi mbi këtë vend të mirë dhe më treguan se në degët e lisit asnjë shpend nuk ndërton fole. Këtë thënie e vërtetova në momentin që e shkela vet tokën e hijezuar nga gjethet e lisit, ku një qetësi qiellore mbizotëronte. Adhurimi i lisit dhe dushkut zë fill që me orakullin e Dodonës pellazgo-ilire dhe është trashëguar te shqiptarët që prej minimalisht 3000 vitesh deri në ditët e sotme.
Pavarësisht përkatësive fetare shqiptarët ende sot e adhurojnë këtë dru të shenjtë njëlloj si paraardhësit e tyre pagan të cilët i blatonin dhurata dhe lutje perëndive të para të cilat ishin me karakter dendromorf. Lisi është elementi më përfaqësues i bestytënive kozmogonike që ngërthen ende sot në përditshmërinë e shqiptarve, adhurimin për natyrën dhe krijuesin e saj. Tempujt e rinj të çfardo lloji apo besimi qofshin nuk e kanë zëvëndësuar dot kultin e lisit, dushkut apo rrapit të cilët gjendet në çdo qëndër fshati në territorin Shqiptar.
Nga Joni Margjeka