“E dua Gjirokastër” një vend për t’u dashur fort
“E dua”! Një emër që josh sapo e dëgjon. Kur hyn brenda tij kupton pse Manjola Shehu, vajza që e ka hapur këtë njësi i ka vendosur këtë emër. Është fryt i një pune të gjatë, që nuk mund të realizohej pa dashuri. Aromat dehëse të erëzave dhe çajrave ndjehen deri jashtë. Larmia e ngjyrave, mbizotërohet nga e verdha e ndezur e trëndelinës.
Shportat me thurrje, vazot e shumëllojshme, paketimet me cohë dhe shishet në forma nga më të cuditshme të krijojnë një trullosje të lehtë. Po të shtosh edhe buzëqeshjen e Manjolës, hijeshinë dhe elegancën që reflektohet kudo, kupton pse nga ata që hyjnë brenda, nuk del kush me duart bosh.
Pas një testimi në një dyqan më të vogël për gati dy vjet, Manjola vendosi të hapë këtë ambjent që gjendet në krye të pazarit, pak metra më poshtë se rruga që kthehet drejt kalasë. Gama e produkteve është e madhe. Ka më shumë se 35 erëza dhe cajra, 25 raki të llojeve të ndryshme, gliko, fruta të thata e të freskëta të gjitha bio, të ardhura nga zona e Gjirokastrës, ajo e Dropullit dhe Libohovës.
Për të blerë raki dëllënje, rigoni apo thane, nuk është nevoja të shkosh deri në Përmet, pasi e gjen tek “E dua”. Përzgjedhja e produkteve është pjesa më e vështirë e kësaj pune, pasi këtu ofrohen prodhimet më të mira dhe për t’i gjetur, nuk është e lehtë.
Ambienti i katit të dytë është përshatur si një hapësirë çlodhëse ku mund të shijosh një pije freskuese apo gliko. Dashuria me të cilën është ngritur dhe funksionin ky vend, reflekton në cdo detaj të tij, ndaj në largim e kuptojmë zgjedhjen e thjeshtë dhe të bukur të Manjolës për “E dua”.
Burimi: Tid Gjirokastra