Kush e pa e nuk u marros pas Gjirokastrës!

Gjirokastra shtrihet në pjesën jugore të Shqipërisë dhe nga viti 2005 është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, si pjesë e qyteteve tregtare të stilit otoman.
Gjirokastra njihet si “Qyteti i gurtë” ose “Qyteti i një mijë shkallëve” dallohet për arkitekturën shtëpi-kullë të tipit otoman me ballkone druri, mure të gurta dhe rrugë me kalldrëm.
Kalaja e Gjirokastrës është kalaja më e madhe në Shqipëri. Në të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar dhe brenda saj gjendet Muzeu i Armëve, i cili është hapur në 1971. Qyteti ka mbi 500 ndërtesa historike dhe ofron mundësinë që të vizitoni pazarin, shtëpinë e Enver Hoxhës, Ismail Kadare, natyrën e Gjirokastrës e shumë të tjera.
Vizitohet si nga shqiptarët dhe nga turistët që mahniten nga ndërtesat dhe traditat e këtij qyteti. Gjirokastra është një qytet me tradita në iso-polifoninë e këngës në Shqipërinë e Jugut, kërcimet dhe kostumet tradicionale. Këngët e saj dëgjohen shpesh gjatë ceremonive të ndryshme ose rrugëve të Gjirokastrës.
Festivali Folklorik Kombëtar u organizua në Gjirokastër në vitin 1968 dhe që atëherë është bërë simbol i trashëgimisë së Shqipërisë. Përveç muzikës Gjirokastra është e njohur për ushqimin dhe përbërësit organikë që gatuhen me mjeshtëri.
Gatimi ka rrënjë osmane e cila vihet re nga kombinimi i vajit, erëzave dhe salcave. Traditat e saj mund ti zbuloni edhe nëse vizitoni qendrën e Artizanatit ku do të gjeni punime tradicionale të gdhendura në dru dhe gur, përpunime metali në hekur, bakër dhe argjend, qilima, qëndisje, vizatim dhe pikturë, punim mozaiku e shumë të tjera.
Nga Aleksandra Stambolliu