E vërteta mbi mbetjet urbane
Sot kriza e plastikës nuk është në titujt kryesorë të lajmeve edhe pse ka mbytur e zaptuar mjedisin anekënd globit. Ajo mbyt mjedisin tonë detar. Ajo gëlltitet nga krijesat ujore, zogjtë e detit dhe madje bagëtia. Djegia e plastikës çliron toksina të fuqishme. Edhe pse depozitimi i saj në tokë është më pak i rrezikshëm e më i sigurt në krahasim me mënyrat e tjera të eliminimit, bllokon tokën me substanca sintetike që nuk shpërbëhen për shumë vjet, më saktë për shekuj të tërë.
Që nga viti 1950 e deri më tani janë prodhuar rreth 8 miliardë tonë plastikë, e ndërkaq as 9% e saj nuk është ricikluar. Efektet e përdorimit të këtij materiali në mënyrë të paqëndrueshme për dekada të tëra, kanë kohë që ndihen. Nils Simoni, një prej autorëve të publikimit shkencor lidhur me efektet e plastikës në jetën tonë, shprehet se plastika gjendet kudo, e kjo vetëm sa vjen e rritet në të gjithë botën, jo vetëm në ambjentin përreth, por edhe brenda trupit të njeriut. Kësisoj nuk ka më dyshime se pjesë e dietës sonë ushqimore janë bërë edhe copëza të vogla plastike.
Sipas hulumtimeve, shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se ushqimi ynë përmban mbi 4.000 substanca kimike, një pjesë e të cilave janë tejet të rrezikshme për shëndetin. Dhe vlerësohet se një njeri me moshë mesatare 79-vjeçare, gjatë jetës konsumon rreth 20 kg mikroplastikë bashkë me ushqimin, pasi mbetjet plastike janë me përmasa më pak se 5 mm. Kështu ato futen në zinxhirin ushqimor përmes procesit të biogrumbullimit. Duke qenë kaq të vogla, e kanë të lehtë të përfundojnë në burime ujore, që i shpërbëjnë në grimca më të vogla që kalojnë filtrat e rubinetave e përfundojnë në gotën tonë.
Fakti më dëshpërues në gjithë hulumtimin e të dhënave statistikore është se gjysma e sendeve plastike të prodhuara janë njëpërdorimshe. Për shembull, një qese plastike përdoret mesatarisht vetëm 15 minuta para se të hidhet në kosh e ndërkaq i duhet rreth 1.000 vite të degradohet plotësisht. Për sa u përket produkteve plastike, qeset kanë konsumin më të lartë në botë. Vlerësohet se rreth dy milionë qese plastike përdoren çdo minutë, rreth 1 milion shishe plastike uji në minutë apo 1,3 miliardë shishe në ditë që peshojnë sa gjysma e Kullës Eifel.
Pas viteve 50, kur plastika filloi të përdorej gjerësisht, u mendua si produkti i një mijë e një përdorimeve, me kosto të ulët, e përdorshme dhe e nevojshme për çdo gjë: nga më e thjeshta te më kompleksja. Pak u mendua për menaxhimin e mbetjeve plastike. Sot 47% të ndotjes nga plastika e shkakton industria e paketimit; 14% ajo tekstile dhe 6% transporti. Çdo vit rreth 3% e plastikës përfundon në oqeane. Besohet se në to gjenden 5,25 trilionë copë mbeturina plastike. Nga kjo sasi, 269.000 tonë notojnë në sipërfaqe. Vetëm në vitin 2010 u shkarkuan 8 milionë tonë. E nëse vazhdojmë me këto ritme, në vitin 2050 në oqeane do të ketë më shumë plastikë sesa peshq.