… erëzat e një arkitekteje si Mimi!
Në Shqipërinë e pezmatuar, të takosh të rinj me mendime të larta dhe zemër të gjerë sa qielli është doemos fat dhe bekim! Të tilla mendje të bukura kanë diçka tepër mistike në frymë e në penë; janë frymëzuese deri në pikën që të duket sikur falë mirësisë së tyre, ky vend mbahet akoma e nuk gjunjëzohet krejt kollaj! Sot, do duhej me gjet shkronjat më të fisme për ta nxjerrë pakëz më në dritë emrin e arkitektes Mimi Kotorri! Por pastaj, kuptohet lehtë se s’ka mjaftueshëm fjalë që e përshkruajnë madhështinë e së mirës që jeton në zemrën e një gruaje të rrallë si ajo!
Mimi, tani po e kuptoj se nuk qenka aq e kollajtë me i qëndru para një arkitekteje sa të veçantë, aq edhe të rrallë. Ndaj më gëzon fakti se sot po e shtrojmë një muhabet të mirë me një grua, e cila përveç punës, shkollimit, leximit e angazhimeve të tjera është mami me “orar të plotë” …. e di tashmë është kthyer në klishe pyetja që kam në mend, por sinqerisht: si ia del ti në këto kohë jo të lehta t’i përballosh të gjitha këto detyra?
Më në fund, po ndalojmë orën dhe po bisedojmë pak bashkë Fjolla. Besoj nga hapësira kohore që ka marrë realizimi i kësaj bisede e ke kuptuar që nuk ia dal shumë t’i bëj të gjitha. Të bërit të gjitha është një mashtrim i ëmbël, që i bën vajzat dhe gratë e ditëve tona të dalin nga vetja për të realizuar objektiva gati të pamundura. Presioni i jashtëm dhe i brendshëm për sukses është aq i madh, sa në vend që të jetë shtysë, shndërrohet në një barrë më tepër dhe për rrjedhojë në pengesë. Tek unë, pandemia dhe karantina, përveç të gjitha efekteve që patën, ndryshuan mënyrën si i shoh dhe u qasem detyrimeve e prioriteteve. Tani nuk ka 3-4 prioritete në të njëjtën kohë, nuk është realiste, por ka disa aspekte të jetës që ndodhin paralelisht, çdo gjë që nuk është urgjente, merr më tepër kohë, dhe në rast se mbivendosen me njëra-tjetrën janë më pak shqetësuese se më parë.
Mim, si lidhen rranjët tona me qytetin? Me godinat, monumentet ose drunjtë e mbjellun ndër breza?
Perceptimi ynë për qytetin lidhet ngushtë me mënyrën sesi ne dhe njerëzit e afërt e kemi përjetuar atë. Që në vogëli, mësohemi të njohim dhe të identifikojmë forma dhe ngjyra familjare, mësojmë të gjejmë lagjen tonë, parkun më të afërt, shtëpinë dhe objektet e shërbimeve që lidhen ngushtë me përditshmërinë. Kujtimet e banorëve janë të hershme, të larmishme, të pafundme dhe vazhdojnë të pasurohen e të trashëgohen brez pas brezi në trajta të ndryshme, duke i dhënë gjithckaje të ngurtë jetë e gjallëri. Nuk mund ta konsiderojmë qytetin vetëm si një amalgamë objektesh që i përgjigjen një sërë funksionesh dhe qëndron nën shërbimin e përdoruesit. Qyteti është rezultat i ndërhyrjeve të qindra mijë jetëve të njerëzve, që për arsye të ndryshme e kanë formësuar, përshtatur e zhvilluar në bazë të kohës që kanë jetuar, të materialeve dhe teknologjisë që mund të përdornin, si dhe të dijes e fuqisë ekonomike që zotëronin. Jo në pak raste, rëndësinë më të madhe në diskutime e marrin elementët e palëvizshëm të qytetit dhe banorët spostohen nga përjetues në vëzhgues të një skene që herë i afron dhe herë i distancon, pa e kuptuar që dhe ata janë pjesë e skenës, madje një komponent jetik i vijimësisë.
Si dhe a flasin muret e ndërtuara ndër vite për identitetin tonë?
Me një vëzhgim të thjeshtë mund të them që identiteti është një temë delikate e madje e keqpërdorur pa kursim në momente të ndryshme. Teknika e ndërtimit të mureve, materialet dhe mjeshtëria e përdorur nga gurpunuesit tregojnë më shumë për statusin e zhvillimit në periudha të caktuara kohore sesa për identitetin tonë. Mënyra si muret vendosen dhe krijojnë hapësira, si mbrojnë territoret dhe ndërtojnë ambiente janë nxitës për të diskutuar mbi identitetin. Mënyra se si ne jemi sjellë me muret ndër shekuj, si i kemi mbrojtur, ndryshuar, përforcuar e zbukuruar nxit diskutime të tjera për sjelljen.
Ku fillon dhe kur mbaron zemra e një qyteti që modernizimi ia ka vjedhur kujtimet?
Globalizimi ka ndryshuar rëndësinë e hapësirave midis vendeve dhe vetë vendet. Ndarja gjeografike nuk është më faktor për t’u konsideruar; qytetet po zhvillohen në të njëjtën linjë, duke u larguar nga tradita dhe stili ndërtues vendas dhe duke u afruar më shumë me qytetet perëndimore, të cilat ngjajnë gjithmonë e më tepër me njëri-tjetrin; gjuha po plotësohet gjithnjë dhe më tepër nga terma të huaj.
Globalizimi e gjeti pjesën e palëvizshme të qyteteve të pamundur për të plotësuar kërkesat ambicioze e në rritje të banorëve të saj, duke krijuar një hendek midis nevojës për të krijuar të renë dhe detyrës për të mbrojtur të vjetrën.
Në një cikël vendimesh abuzive, qytetet e reja iu mbivendosën shtresëzimit historik të deritanishëm, duke flijuar asete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, duke krijuar hapësira të reja dhe duke tjetërsuar pikat e referimit. Zemra e qytetit mbaron në momentin që banorët nuk e ndiejnë të renë si pjesë të tyre, nuk identifikojnë dot hapësirat e reja dhe nuk orientohen dot lirshëm.
Çfarë është saktësisht trashëgimia dhe kur bëhet ajo çështje publike shqetësuese?
Trashëgimia kulturore është lidhja që kemi me të shkuarën dhe jo vetëm përfshin çdo gjë të trashëguar, të zgjedhur dhe të përdorur në formimin e identitetit, por edhe përcakton standardet vijuese në krijimin e të resë përkrah ekzistueses. Trashëgimia mund të jetë e prekshme, e materializuar në artifakte, vepra arti dhe objekte, ose e paprekshme si gjuha, vallet dhe folklori. Në të gjitha format që vjen, trashëgimia është një reflektim i aspekteve njerëzore të komuniteteve tona që dëshmojnë rrugëtimin historik e zhvillimor deri më sot. Çdo rast kur trashëgimia jonë cenohet, shitet ose dhunohet, bëhet çështje publike shqetësuese.
Si puqen identiteti dhe trashëgimia e një vendi?
Trashëgimia kulturore është një ndër hallkat më të rëndësishme që bën popullin bashkë, rrënjos ndjenjën e nacionalizmit dhe dokumenton vizualisht identitetin. Ideja që ndërtesat krijojnë një ndjenjë të kujtesës kombëtare ka qenë e pranishme që në vitet 1790 në Francë dhe qeveritë kanë përparuar me axhendat e tyre mbi këtë narrativë kudo në botë.
“Trashëgimia jonë kulturore” kontribuon në formësimin e identitetit kombëtar dhe stereotipave rajonalë dhe është një reflektim bashkëkohor ndaj së kaluarës. Nëpërmjet saj, arrijmë të studiojmë e të njohim jo vetëm statusin shoqëror, përkatësinë, por edhe dinamikën sociale në periudha të caktuara, aktivitetet e përditshme, organizimin e jetës familjare dhe profesionale, mënyrën e përpunimit të materialeve etj.
Ç’peshë ka për një komb ruajtja e së vjetrës?
Ruajtja e historisë është gur themeltar në zhvillimin e një shoqërie. Kombet e vogla kanë rrezikshmëri ta ndryshojnë, ta përshtatin për interesa të ngushta jokombëtare dhe të mos arrijnë ta vlerësojnë objektivisht në kohën e duhur një periudhë të caktuar historike. Ndryshimi i linjës historike dhe i toneve përcjellëse sjell mënyrën se si brumosen, besojnë dhe zhvillojnë jetën popujt, por popujt që harrojnë historinë e tyre, janë të destinuar ta përsëritin atë (G. Santayana). Nëse do të listonim arsyet kryesore pse kemi nevojë për ruajtjen e trashëgimisë do të thoja që janë katër: 1. për arsye shkencore (kërkime dhe njohuri të rritura), 2. për arsye politike (mesazhe dhe simbolikë), 3. për arsye sociale (ndjenja e vendit dhe identiteti kulturor) dhe 4. për arsye ekonomike (tërheq turistë dhe vizitorë në vend).
A duhet ruajtur ajo që është më pak e rëndësishme në sytë e pushtetit?
Ligji i trashëgimisë kulturore, konventat e shumta ndërkombëtare, kartat e restaurimit, përcaktimi i qartë i cilësimit të kategorive të monumenteve duhet t’i japë çdo pushteti një liri veprimi të kufizuar dhe të kontrolluar mbi objektet e trashëgimisë dhe zonat historike të qyteteve. Menaxhimi i keq, korrupsioni dhe kokëfortësia për të sjellë të renë, si pjesë të pakundërshtuar zhvillimi, vazhdojnë të rritin shqetësimin e humbjes së vlerave, traditës, historisë dhe të identitetit në të gjithë Shqipërinë.
Në Shqipërinë e ditëve tona si perceptohet restaurimi?
Koncepti i restaurimit është tërësisht i paqartë këto kohë në Shqipëri, dhe kjo jo ngaqë mungojnë ekspertët dhe nocionet. Restaurimi trajtohet nga kushdo si një ndërhyrje e zakonshme në monumentet e kulturës dhe të kultit. Një pjesë e mirë e grupeve të punës drejtohen nga profesionistë të fushave të tjera, që nuk kanë ndjeshmëri ndaj aspektit historik dhe arkitektonik të objekteve, si dhe nuk zotërojnë parimet bazë të ndërhyrjes. Restaurimi, përforcimi, konservimi dhe rindërtimi janë fusha të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, por të përdorura në mënyrë abuzive nën justifikimin e nevojës. Çfarë shohim kryesisht të ndodhë në vend tani është rindërtim dhe jo restaurim.
Historia e vendit me praktikën e restaurimit është më pak se një shekullore, ndaj nuk mund ta konsiderojmë si të vjetër dhe me shumë eksperiencë. Në 1962, në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë u krijua sektori i restaurimit, dhe më 1965 u ngrit Instituti i Monumenteve të Kulturës. Numri i monumenteve të cilësuara dhe të ndara në kategorinë e parë e të dytë ka ardhur duke u rritur që nga themelimi i institucioneve, por përpjekjet për t’i ruajtur, mirëmbajtur dhe restauruar janë të pakta. Banesat “Monument Kulture” të kategorisë së parë janë lënë në mëshirë të fatit, duke degraduar deri në humbje të plotë të objektit. Monumentet e kategorisë së dytë i janë nënshtruar shpesh disa proceseve restauruese që kanë rezultuar në tjetërsim të imazhit arkitektonik.
Çfarë të shtyu drejt një dege kaq me vlerë për copëzat në zhdukje të qytetërimeve?
Dëshira për të ruajtur trashëgiminë ka qenë e hershme dhe, me kalimin e viteve, të dëshmuarit se si po e humbim kaq lehtë ka rritur interesin dhe përpjekjen për të qenë aktive në mbrojtjen e saj. Nevoja për restauratorë të përgjegjshëm dhe studiues të pakompromis është shumë e madhe. Ka disa mënyra sesi popujt e humbim trashëgiminë e tyre kulturore, për shembull nga luftërat civile, pushtimet e huaja dhe qëllimi për të eliminuar historinë e vendit, si dhe nga qeveritë e korruptuara, të cilat me praktika të gabuara bazuar në interesa afatshkurtra dhe personale ndikojnë në të ardhmen e brezave të tërë. Profesionalisht, nuk e bëj dot timin faktin që ne mund t’i humbim kaq lehtë dhe me vetëdije monumentet e kulturës; personalisht, më dhemb në mënyrë të papërshkrueshme që nuk mund t’i tregoj sime bije ndërtesën e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, shkollën 8-vjeçare “Skënder Çaçi” dhe gjimnazin “Sami Frashëri”.
A është e vështirë të jesh restaurues në Ballkan?
Është shumë e vështirë! Është shumë më e lehtë të jesh pjesë e sistemit, të mos ndjekësh parimet, të ecësh në rrugën më të shkurtër, të përdorësh plagjiaturën dhe të rishkruash historinë e studiuesit. Këto janë disa nga sfidat e këtyre kohërave, por asnjë nga këto nuk më humb besimin që ekziston një kah krejt tjetër e që ne mund të bëjmë shumë më tepër për t’u drejtuar afër një pune cilësore dhe të denjë.
Tri vende që duhet parë doemos në Shqipëri?
Sugjeroj me entuziazëm të ndryshojmë mënyrën se si bëjmë pushime dhe turizëm. Nevoja për të pasur një popull të ditur është shumë më e rëndësishme sesa dëshira për të pasur një popull të relaksuar. Është më e ndershme të të them tri kategori: kalatë e vendit, parqet arkeologjike dhe ndërtesat e kultit.
Tri vende që janë sëmbuar prej paditurisë?
Butrinti, Durrësi dhe Gjirokastra.
Tri andrra për këtë copë Toke?
Të jetojmë në një vend ku ligjet zbatohen.
Të kapërcejmë si shoqëri ideologjinë dhe mendësinë e ngulitur komuniste.
Të jemi më të butë dhe të kujdesshëm me çfarë na rrethon.
Bisedoi Fjolla Spanca