“Etno Fest 2021” ose Kulti i Tokës dhe i Ujit
Që me datë 20 gusht të këtij viti, po mbahet edicioni i 11-të i “ETNO FEST” Festivali i Arteve dhe Kulturës Tradicionale. Kësaj here, festivali vjen pranë dashamirësve të artit, kulturës, traditës, Tokës e Ujit me një tematikë sa të veçantë, poaq madhështore.
Në hapje të programit, në mes të ekspozitave me motive kombëtare të Jakup Ferrit dhe Jasmir Morinës, u mbajt debati i cili ka për qëllim ruajtjen e ujit dhe tokës nga degradimi. Në tavolinën e debatit ishin ulur ekspertë të fushave të ndryshme si agronomë, shkrimtarë e etnologë, të cilët diskutuan për degradimin që po i bëhet tokës, sidomos dekadave të fundit.
“Shqetësimi i njeriut asnjëherë nuk ka qenë aq i theksuar dhe më i prononcuar rreth fatit të vet. Nuk janë luftërat më, nuk janë pandemitë më, por është mënyra se si po e shkatërrojmë ne planetin”, u tha ndër tjerash në tryezë.
Ndërkohë, për rritjen e eksploatimit të tokës, faji iu la edhe humbjes së relacionit shpirtëror tokë-njeri. “Në të kaluarën ka pas një relacion tjetër. Relacioni me tokën dhe me ujin kanë qenë më shpirtërore. Normal kanë qenë edhe materiale, fizike, ekonomike se janë burime jetese por edhe shpirtërore. Ka pas një dashuri, një respekt, adhurim e devocion në lidhje me tokën” – përmendi prof. Shemsi Krasniqi.
Në tërësi, programi i këtij viti është goxha i pasur me aktivitete të mirëplanifikuara dhe tejet atraktive për të gjithë artdashësit, ndërsa përmban orë poetike, këndime epike me instrumente tradicionale, koncerte muzikore si dhe shfaqje teatrale.
Në kuadër të orëve poetike, punimet kushtuar tokës dhe ujit, do t’i prezantojnë disa nga poetët më të njohur si; Halil Matoshi, Emin Emini, Dije Demiri – Frangu e Joan Lorin Sterian.
Ndërkaq, nuk do të mungojnë as performancat, nga ato më tradicionalet, të cilat do t’i sjellë Lumturije Nohaj nga Malësia e Madhe.
“Audienca e V. Havelit” është mes shfaqjesh teatrale që do të prezantohet në këtë edicion të “Etno Fest” – nën autorësinë e Jeton Nezirajt dhe me regji të punuar nga Agon Miftari.
Sivjet, përmes tingujve të instrumenteve muzikore dhe vargjeve të kënduara nga Etno-ansambli “Çiftelia”, po tentohet të ruhet dhe kultivohet trashëgimia kulturore shqiptare. Ky ansambël ka udhëtuar nga Lezha për në Kukaj, për të interpretuar muzikën tradicionale shqiptare në natën e dytë të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale.
Grupe të tjera nga mbarë trojet shqiptare janë parë teksa performojnë në këtë skenë unike.
Përndryshe, po të shikojmë pas në historinë e këtij festivali, gjithçka patë filluar kur në fshatin Kukaj (Lokacioni i Festivalit), po xhirohej filmi “Gomarët e Kufirit”, dhe kur një nga aktorët e kastit, Bislim Muçaj, kishte mbetur i mrekulluar me pamjet e fshatit. Muçaj bashkë me profesorin e artit skenik, Fadil Hysaj, kishin vendosur të blejnë parcela Toke në këtë fshat, të cilat më pas i shndërruan në ambiente të përshtatshme për të zhvilluar një festival, i cili më vonë do të njihej si “Etno Fest”.
Rregullimi i oborrit, duke e respektuar reliefin kodrinor, imponuan krijimin e kasketave të cilat, i dhanë formën dhe idenë e ndërtimit të një amfiteatri të ardhshëm me anë të së cilit në shtator të vitit 2011, “Etno Fest”, erdhi si festival edhe më i kuruar dhe më atraktiv për artdashësit.
Brenda, “Etno Fest”, po funksionojnë akoma edhe odat, në të cilat zhvillohen promovimet e librave dhe orët poetike. Kështu, ky festival mbetet një pasuri e pamatë e një populli dijepak mbi kulturën, artin e traditat e veta.