Fëmijëria sot e dje. Sa shumë gjëra kanë ndryshuar!
Dikur ishte fëmijëria e sokakeve e mëhallave, brohoritjeve gjithë haré dhe “pushtimit” të shesheve të pallatit nga çuna e goca. Sot fëmijët pjesa më e madhe e fëmijëve ngujohen mes katër mureve të shtëpisë e kokën në dritare.
Dikur çapës së bukës me vaj e kripë, s’kish shans të mos i fuste dhëmbët një nga shokët, nëmos gjithnjë i njëjti. Sot një qese patatine do të bënte punë porse nuk e ka shijen e vlerën çapës së bukës me vaj.
Dikur ishte fëmijëria e kumbullave aguridhe të komshiut dhe e hokatarëve të mëhallës që donin të jepnin ndonjë kokërr, donin jo. Sot u lutemi fëmijëve me smoothie nga pas e lloj-lloji frutash që s’i zënë me dorë.
Dikur ishte fëmijëria e karrocave me guxhinjeta, zarave të qelqit, kaçoleve, rrobave te qepura të kukullave, qëndismave të verës e mësimit të petëve të byrekut. Fëmijëria e lojës me litar, e lojës-shpirash, e lojës sylla-mbylla, kala-dibrançe, topa-luftash, top-me-mes. Sot fëmijëria e lojrave elektronike dhe lojrave me telefonat e zgjuar.
Dikur ishte fëmijëria e rrobave të bukura të ‘1 Maji-t’ dhe qejfit të papërshkrueshme të fotografisë me ngjyra ose jo. Sot është koha e rrobave firmato dhe e selfit, vend e pa vend edhe për fëmijët.
Dikur ishte fëmijëria e gazit të madh të qeses së ‘Vit i Ri-u duarplotë, dy arra e një biskotë’ dhe durimi për të ndenjur pa ngrënë gjithë ditën se do hanim në darkë ‘Vitin e Ri. Sot është festë çdo ditë dhe “Viti i Ri” pritet po njësoj nga vogëlushët veçse Babagjyshit i ka rënë llotaria dhe sjell lodra super.
Dikur ishte fëmijëria e ‘amanetit’ të mamit qe shkalla e pallatit të xixëllonte dhe fshirjes me kujdes të gjetheve të shqiponjës. Sot fëmijët asqë e kanë haberin si paloset mbulesa e tavolinës e si shtrohet ajo.
Dikur ishte fëmijëria e turnit të pastrimit të klasës, lyerjes me gëlqere të pemëve, pastrimit të rrethpallatit. Sot fëmijët nuk e kanë ndjenjën e përkujdesjes së ambjenteve të përbashkëta ose aty ku kryejnë aktivitetet e lojës.
Dikur ishte fëmijëria e kasatave, akulloreve të bardha me majë, mafisheve, arançatës, çumçakëzit të ruajtur në gotë uji, etj. Sot është fëmijëria e konsumimit pa kriter i kalorive, sheqernave në masë, pijet e gazuara, hamburgerave me salca picante.
Dikur ishte fëmijëria e përrallave te dielave në orën 10-të te TVSH-ja ku gjithë lagja mblidhej te shtëpia e shokut që kish televizor e zor pipëtinte miza. Sot ne prindërit e epokës modern dimë ç’heqim për t’i hequr nga dora i-pad-et dhe celularët e zgjuar.
Dikur ishte fëmijëria e shkuarjes nga dajot për darkë ‘kope kushërinjsh’ e turneu vazhdonte ashtu derisa bëheshe për ushtar. Sot “tuRret” janë zëvendësuar më së shumti me daljet në restorante, qëndra tregtare apo festa të kushtueshme me organizime që më shumë kënaqin të rriturit.
Ishte fëmijëria më e bukur në botë!
Ajo fëmijëri është bekimi ynë i madh.