Ferma ime është edhe e jotja!
Historia e fermerit Artur, i cili jep me qira copa parcele për klientë, të cilët dëshirojnë të mbjellin perimet e tyre me ndihmën dhe punën e tij.
Së fundmi, në vend e sidomos në kryeqytet vihet re rritja e kërkesës për të konsumuar produkte të freskëta që vijnë direkt nga fermat lokale. Duket një ndërgjegjësim nga ana e konsumatorit për të konsumuar shëndetshëm dhe sipas prodhimeve të ndryshme të diktuara nga stina, tradita dhe klima e larmishme e trevave shqiptare. Në mënyrë indirekte, këta konsumatorë të zgjuar, me blerjet e tyre mbështesin zhvillimin e ekonomisë lokale dhe rritjen e kapaciteteve të fermave të vogla. Zinxhirit klient-prodhues duhet t’i njihen meritat e promovimit të prodhimeve vendore, derisa institucionet përkatëse të luajnë rolin e tyre.
Për ironi, vendi po tkurret gjithnjë e më shumë, pavarësisht potenicaleve të mrekullueshme njerëzore e natyrore që zotëron. Prej më shumë se tre dekadash gëlon pa pushim braktisja e qytetit, fshatit dhe tokës, cilatdo qofshin arsyet. Për fat të mirë, të tjerë guxojnë, jo vetëm për të riparuar boshllëkun që mbetet pas në komunitet, por edhe të hedhin hapa progresi për ekonominë lokale. Konkretisht, ferma të vogla e familjare janë duke iu shtuar tregut dita-ditës, duke sjellë llojshmërinë e prodhimeve sezonale dhe duke përdorur teknikat e prodhimit tradicional. I tillë është edhe rasti i Artur Xhekës dhe fermës së tij familjare në Guzaj të Shijakut, i cili vjen me një ide tejet inovatore.
Ishte viti 2016 kur Arturi vendosi të bëjë zanatin e fermerit bashkë me bashkëshorten. Ferma e tij përfshin minimalisht pesë punonjës nga zona dhe në sezon prodhimi, dymbëdhjetë punonjës. Ai është furnizues i dyqaneve kryeqytetase me prodhime natyrale e lokale. Deri këtu gjithçka tingëllon e zakonshme për një fermë me kapacitetet dhe asetet që zotëron Arturi. Atë çka e bën të veçantë sipërmarrjen e tij është thirrja që u bën klientëve të zakonshëm për t’u bërë pjesë e prodhimit në fermë.
Me një pagesë duke fillar prej 15.000 lekë në muaj, kushdo mund të ketë parcelën e tij prej 500 m2, ku sipas sezonit, mund të shijojë përgjatë gjithë vitit, përafërsisht 2.000 kg produkte. Minimalisht, klientëve do t’u duhet të vizitojnë fermën një herë në javë për t’u përkujdesur për të. Në këtë mënyrë, sipërmarrja e re në fermën e Turit përcjell kulturën e të ndarit në komunitet të njohurive, kapaciteteve, resurseve dhe mbi të gjitha influencon një mënyrë ndryshe të të menduarit e vepruarit, bashkërisht e në komunitet.
Ideaja e të fokusuarit te potencialet dhe asetet që ferma mundëson, Arturi kërkon bashkëpunim, jo vetëm për benefite të përbashkëta. Largpamësia e tij dikton dëshirën për të krijuar një kulturë të re bashkëveprimi të mundësive e pasionit për të bërë gjëra të bukura. Ndërveprime të tilla, jo vetëm gjenerojnë besim duke lidhur njerëzit më shumë me njëri-tjetrin, por krijojnë mundësi për të qënë më afër me natyrën, tokën e prodhimin. “Terapia e Hortikulturës”, që Arturi propozon, është padyshim më e mirë se përditshmëria nëpër kafene e hulumtimi në rrjete sociale për orë të tëra.