Fermeri nga Kenia që shpëton jetën e egër nga etja
Patrick Kilonzo Mwalua transporton ujë në distanca të gjata në Parkun Kombëtar Tsavo West për të shuar etjen e kafshëve të egra nga thatësira ekstreme. Kur kafshët e etura përpiqen të gjejnë ujë shkojnë atje ku jetojnë njerëzit. Kjo krijon konflikt midis tyre dhe ndonjëherë vrasin ose plagosin njëri-tjetrin.
Në vitin 2016 Patrick mori me qira një kamion për të transportuar ujë kur vuri re se zona ishte shumë e thatë dhe nuk pritej shi. Fillimisht përdori paratë e veta për të blerë ujë (27€ për 10’000 litra). Në fillim njerëzit e këshillonin që të linte natyrën të ndiqte rrugën e saj, por Patrick ngulmonte që kjo nuk ishte natyra por ngrohja globale dhe faji i qenieve njerëzore që duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Ai shpërndan foto dhe video për të treguar sesi specie të ndryshme mblidhen së bashku paqësisht për të pirë ujë. Ato e njohin kamionin dhe presin me durim pa shkaktuar dëme sepse e dinë që këta njerëz kanë ardhur që të ndihmojnë. Videot dhe fotot e punës së tij filluan të shpërndahen me shpejtësi në rrjetet sociale dhe tërhoqën vëmendjen e stacioneve televizive në Kenya dhe medias ndërkombëtare duke i siguruar edhe fonde.
Patrick është fermer dhe themelues i “Mwalua Wildlife Trust”. Ai viziton shkollat për të biseduar me fëmijët për ruajtjen e botës së egër dhe ka planifikuar të mbjell shumë pemë në shkolla dhe komunitete. Ai i nxit njerëzit të mbjellin luledielli sepse ato tërheqin bletët dhe i pengojnë elefantët të afrohen. Gjithashtu dëshiron të instaloi rezervuarë më të mirë për ujë dhe ujitje.
Nga Aleksandra Stambolliu