Fermeri që fitoj ndaj kompanisë që lëshonte kimikate në tokën e tij
Një fermer kinez kaloj disa vite duke studiuar materiale juridike që të padiste një kompani që i ndoti tokën. Wang Enlin është shkëputur nga shkolla në moshën 10 vjeçare, por kjo nuk e pengoj që të mësonte ligjet dhe të fitonte kundër Qihua Group që është në pronësi të shtetit.
Në vitin 2001 fermeri i nisi një letër ankesë Zyrës së Burimeve të Tokës për ndotjen që kompania Qihua Group kishte shkaktuar në fshatin e tij. Por atij i kërkohej vazhdimisht që të sillte prova për të treguar se toka e fshatit ishte ndotur nga kompania. Wang vendosi të studionte juridik vetë. Ai nuk kishte para që të blinte libra prandaj i lexonte në dyqanin e librave dhe ruante informacione duke i shkruar, në këmbim i jepte misër pronarit të dyqanit.
Në vitin 2007 një firmë ligjore e specializuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me ndotjen i dha këshilla ligjore falas Wang dhe fqinjëve të tij. Ata i ndihmuan që të nisnin kërkesën në gjykatë. Por për shkak të ndërlikimeve të paspecifikuara, gjykata filloi shqyrtimin e çështjes në 2015. Falë provave që Wang kishte mbledhur gjatë viteve arriti të fitoj. Gjykata vendosi që familjet në fshatin Yushutun të marrin kompensim financiar nga Qihua Group në shumën 820’000 yuan (96,000 £).
Pavarësisht se Qihua Group ka apeluar kundër vendimit, i moshuari është i vendosur të kërkoj drejtësi për veten dhe fqinjët të cilët nuk mund të prodhojnë produkte në tokat e tyre pasi u ndotën nga mbeturinat toksike të shkarkuara nga kjo kompani.
Nga Aleksandra Stambolliu