Fermeri që mbjell për të ushqyer zogjtë e egër
Muthu Murugan është një fermer që jeton në Thondamuthur, Indi. E veçanta e tij është se jeton në harmoni me zogjtë e egër. Ai është kujdesur që përveç të korrave që siguron për vete, një pjesë të fermës e kultivon me mel dhe bimë që zogjtë e egër të kenë mundësi të ushqehen.
Gjithashtu është kujdesur që të kenë ujë nëse kanë etje. Për ujitjen e fermës përdor ujin e shiut dhe shmang përdorimin e pesticideve kimike pasi ndryshojnë zinxhirin ushqimor. Ferma e tij është e rrethuar me pemë që Muthu ka mbjellë dhe ku jetojnë zogj të ndryshëm.
Shumë fermerë i shikojnë zogjtë si kërcënim, por janë fermerët ata që kanë dëmtuar foletë e zogjve dhe kanë pakësuar ushqimin e tyre sepse kanë shtuar tokat bujqësore. Kjo ka shkaktuar uljen e numrit të zogjve. Puna e Muthu Murugan është një shembull sesi njerëzit mund të mbrojnë dhe jetojnë në harmoni me natyrën dhe zogjtë e egër.
Nga Aleksandra Stambolliu