Festivali SOFAT u sjell fshatrave jetën kulturore të munguar
Në disa fshatra të vendit po mbahen disa koncerte të cilat sjellin muzikë moderne prej këngëtarëve mjaft të dashur e aspak komercialë të zhanreve të ndryshme muzikore si xhaz, rrok and roll, rege. Ndoshta jemi mësuar që në fshatra e përgjithësisht festat lokale të shoqërohen me festivale të këngës popullore apo tradicionale por në fakt Sofat po ndryshon këtë koncept.
Risia për të sjellë muzikë moderne në fshatra duket si një mënyrë e mirë për të nxitur të rinjtë të vizitojnë fshatrat për të cilat nuk kanë dëgjuar më parë apo ndoshta nuk e kanë në planet e tyre të afërme për t’i vizituar.
Fjala Sofat ka një kuptim të veçantë, që vetëm Gjirokastritët e dinë. Sipas ‘Visit Gjirokastra’ bëhet fjalë për një pragun për të ndenjur përpara portës së shtëpisë, i bërë zakonisht prej gurësh të mëdhenj katërkëndësh të vendosur rrëzë murit në rrugët e ngushta të qytetit ose në fshatra. Shprehjet gjirokastrite e përforcojnë këtë fjalë: Sofat i gurtë. Guri i sofatit. Rrinin në sofat. U ul në sofatin e portës. Kësisoj qëllimi i festivalit ishte të trokasë në çdo portë, në çdo shtëpi të zonave rurale, kryesisht në fshatrat e jugut të Shqipërisë.
Ky festival nuk sojell vetëm këngëtarët dhe disa nga bandat më të mira, por edhe vizitorë vendas të cilët u akomoduan në shtëpitë e banorëve. Mysafirëve iu ofruan gatime të zonës dhe disa prej tyre u angazhuan me aktivitetet e fshatit si mbledhja e frutave, zierja e rakisë dhe verës, etj. Kjo sepse SOFAT është një festival kushtuar stilit të jetesës, shijeve dhe identitetit të fshatrave të jugut të Shqipërisë.
Ky aktivitet kulturor organizohet nga Turtle Fest dhe Visit Gjirokastra me mbështetje nga RisiAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillimin dhe Bashkëpunim SDC si dhe Istituti Italian i Kulturës Tiranë. Ndalesa e radhës së SOFAT do të jetë në fshatin e bukur të Nivicës, pjesë e malësisë së Kurveleshit në rrethin e Tepelenës, në datat 14 – 15 Gusht, ku në skenë do të interpretojnë Elina Duni dhe Rob Luft, Picola Banda Icona (Itali) dhe Grupin Polifonik e të Rinjve të Tepelenës.