Fieri kryeson me bizneset e reja hapur rishtaz në bujqësi
Qarku i Fierit kryeson me numrin më të lartë të bizneseve të reja që u hapën në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit, gjatë vitit 2020.
Sipas të dhënave nga INSTAT, numri më i madh i bizneseve të reja në bujqësi u hap në qarkun e Fierit.
Ky qark shënoi 13,880 biznese bujqësore në fund të vitit të kaluar, me rritje 8 % në raport me vitin 2019.
Në Fier janë të përqendruar 27 % e totalit të bizneseve bujqësore, e pasuar nga Korça me 8283 biznese me një zgjerim prej 7.1 % më 2020, Elbasani me 6200 biznese me një zgjerim 8.7 % vitin e kaluar.
Sipas INSTAT në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet 50,411 biznese në sektorin e bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve, nga të cilat 7.2 % ose 4706 biznese u hapën rishtas, teksa numri i përgjithshëm i bizneseve u shtua me 4044 sipërmarrje të reja në 2020.
Bujqësia është një ndër sektorët kryesorë në ekonominë e vendit që jep një kontribut mbi 19 % të PBB. Ndryshe nga shumë sektorë që u preken rëndë nga kriza pandemike, bujqësia nuk u ndikua, as nga kufizimet në lëvizje dhe as nga konsumi. Prodhimet e freskëta bujqësore shqiptare vijojnë me rritjen më të lartë të tregtimit brenda vendit dhe eksportit në tregjet e BE-së./Burimi: ATA