Fermat e mëdha në vend mbeten të favorizuara për mbështje financiare
Familjet në fermat e vogla kanë akses të kufizuar në treg, të kushtëzuar gjithashtu nga mangësitë në standardet e sigurisë ushqimore dhe në volume, akses të kufizuar në shërbime dhe në inputet me cilësi të lartë. Keqpërdorimi i pesticideve dhe plehërave kimike, si dhe aksesi i kufizuar në teknologji, mjete të mekanizuara dhe në inovacionet bujqësore janë gjithashtu faktorë kufizues për zhvillimin e fermerëve të vegjël.
Infrastruktura sociale dhe fizike e zonave rurale ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm, si dhe përmirësim të aksesit në arsim, formim profesional dhe shërbime këshilluese rurale për meshkujt ruralë dhe veçanërisht për femrat rurale. Aksesi në financime, si brenda sektorit privat bankar ashtu dhe në subvencione publike është i kufizuar për burrat dhe gratë dhe pengohet gjithashtu nga një sistem i dobët i mbrojtjes sociale.
Pensioni për banorët e zonave rurale është afërsisht 60 EUR, pak më tepër se gjysma e pensionit në zonat urbane dhe në rastin e grave, është edhe më i ulët. Vetëm 40.000 persona –nuk ka të dhëna të ndara sipas gjinisë- kontribuuan në skemën e sigurimeve si të vetëpunësuar në bujqësi (shifër shumë e ulët duke pasur parasysh që ka 340.000 ferma në Shqipëri). Familjet e varfëra janë një kategori e veçantë por e konsiderueshme që përballet me problemet më të mëdha në aspektin e aksesit në financime, veçanërisht familjet me kryefamiljare femra.
Në Shqipëri, një person identifikohet si një “person i varfër” nëse ai ose ajo ka një konsum mujor më të ulët se 40 EUR. Pavarësisht përmirësimeve gjatë viteve 2000, kriza financiare globale çoi në rritjen e varfërisë absolute, nga 12,5 për qind në vitin 2008 në 14,3 për qind në vitin 2012, me nivele pak më të larta për zonat rurale.
Qeveria e Shqipërisë dhe programe të ndryshme donatorësh kanë bërë përpjekje për të përmirësuar aksesin në financime për sektorin e bujqësisë në tërësi, përfshirë gjithashtu fermat e vogla dhe familjare, si dhe për të përmirësuar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social të zonave rurale. Aksesueshmëria e mbështetjes financiare për fermat e vogla është goxha e ulët, veçanërisht për ata që jetojnë në zona të thella, për ata me më pak eksperiencë në çështjet burokratike si dhe për gratë.
Gjithashtu, aksesi ndryshon sipas llojit të skemave. Për shembull, disa skema kombëtare, si mbështetja për plantacionet e reja si vreshta, ullinj, pemishte dhe bimë aromatike dhe mjekësore kanë qenë të aksesueshme si nga fermerët e vegjël edhe nga ata të mëdhenj. Skema të tjera kombëtare, si ato që mbështesin investimet në sera dhe pagesat e drejtpërdrejta për blegtorinë, kanë synuar fermat më të mëdha.
Situata është gjithashtu mikse për sa i përket projekteve të mbështetura nga donatorët. Disa programe/projekte të financuara nga donatorët si IPARD janë të zbatueshme/ arritshme vetëm për fermat e mëdha ndërsa të tjerë si SARED kanë qenë të aksesueshëm edhe për fermat e vogla, edhe pse me arritje modeste në drejtim të grave rurale.
Politikat e tilla si strategjia e Mbrojtjes Sociale, Strategjia për Barazinë Gjinore 2014 -2020 dhe Strategjia e Punësimit dhe Aftësive për vitet 2014 – 2020 përfshijnë masa për të reduktuar informalitetin e fermerëve, me vëmendje të veçantë në informalitetin e punëtoreve femra në familje; për të zhvilluar fuqizimin ekonomik të burrave dhe grave nga zonat rurale duke përmirësuar punësimin dhe aftësitë sipërmarrëse; dhe për të përmirësuar mirëqenien sociale nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës fizike dhe sociale në zonat rurale. /FAO