Fshatin që njoha përmes agroturizmit
Përveçse Dhërmiut, ne të qytetit kemi mësuar së fundmi edhe ca emra fshatrash shqiptar, nisur rishtaz prej “njerëzve shumë të rëndësishëm” tek bëjnë “deklarimin e vendndodhjes” në agroturizmin e fshatrave shqiptarë. Për fat të mirë, dukuria në rritje e të vizituarit të fshatit në dekadën e fundit i ka dhënë efektet e saj duke ndihmuar të promovohen sipërmarrjet e vogla në fshat.
Përmes fotove të klientëve, përcillet magjia e qëndrimit, begatisë, bereqetit të fshatit aty ku shpirti të bie rehat me të gjitha. Këto sipërmarrje janë kullat e fildishta të fshatrave të harruar. Është fija e këputur e realitetit të asaj se çfarë fshati shërben me bollëk për miqtë dhe çfarë i mbetet për vete në fund të ditës. Po! Mirëqenia e fshatarëve është larg nga ajo e mysafirëve që fshati pret, shërben e përcjell.
Në dukje, nga njëra anë, ndërtesat mikpritëse rurale, ashtu të gurta, të forta e hijerënda janë pikërisht si fasadat e fshatit të rremë të Krimesë, Potemkinit: në mënyrë që të fshihej varfëria e skajshme e popullsisë, u ndërtuan atypari fasada vilash të rreme të fshatit me kasolle, banorët u veshën me rroba të mira e kjo vetëm sa për t’i dëftuar Perandoreshës Katerina II, se populli i saj jetonte si do Zoti.
Të privilegjuarit e pushtetit, influences apo të zakonshmit; tek mikpriten, gostiten e bujten shpesh nga “të zotët e shtëpisë”; e perceptojnë fshatin me emrin e këtyre bujtinave apo agroturizmit. E marrin të mirëqenë begatinë e tokës, sofrës dhe të fshatit nga ajo çka u serviret. Fshati është mes atyre mureve i plotë dhe i fisëm, por jashtë venitet si fryma e varfanjakut mbetur në dëborë. Rrallë, dikush prej tyre e merr guximin t’i futet zemrës së fshatit a të hyjë nën lëkurën e tij, te banorët. Fshati mbetet shpesh vendndodhja e një bujtine, një sipërmarrjeje apo agroturizmit dhe jo destinacioni.
Por, nga ana tjetër janë pikërisht këto sipërmarrje të ngritura, të menaxhuara dhe të mbajtura me aq mund e sakrifica, të cilat mbeten shpresa më e vërtetë e banorëve të rrethinave përqark tij, të cilët nuk e kanë gjetur veten ndryshe a në mënyrë tjetër. Janë pikërisht ata të parët, të cilëve u trokitet në derë për ndonjë punë, për të shitur të vjelat e kopshtit apo shërbime të tjera të mundshme.
Këta sipërmarrës mbeten të rëndësishëm, atje, diku larg në fshat, në rolin e tjerrësit të lidhjeve “marr e jap” mes banorëve të komunitetit. Janë pikërisht këta sipërmarrës komunitarë që pak nga pak, me mendjet e ngjashme, po arrijnë të forcojnë besimin në bashkëveprimin mes njëri-tjetrit; dhe pse të dy palët, ende pa e ditur, janë duke ndërtuar një lloj ekonomie të ngadaltë, të ndershme e fitimprurëse, e cila përfshin komunitetin në shërbim të vetvetes.