Fshatrat Arumunë Llëngë e Niçë
Fshati Niçë, banohet nga popullsi e krishtere që flasin gjuhën arumune. Banorët e fshatit kanë pasur lidhje më tepër me banorët e fshatit Llëngë (edhe këta arumunë), me arumunë të tjerë të zbritur në Pogradec dhe me të krishterët e Pogradecit.
Për emrin e fshatit Niçë ka dy variante:
1. Emri i fshatit Niçë mund të ketë ardhur nga fjala latine “nucis”, në italisht “noce”(noçe) që ka kuptimin “arrë”. (Fshati Niçë permendet për prodhimin e arrave).
2. Në dokumentet turke, në Librin e Taksave të vitit 1583, fshati Niçë përmendet edhe me emrin Nikaj. (Ka mundësi që emri i këtij fshati të ketë qenë “Nika”, sepse edhe një mal pranë këtij fshati edhe sot quhet “Guri i Nikës” e në rëzë të këtij mali ndodhet një shpellë më emrin ”Shpella e Nikës”. Në gjuhën italiane fjala Nicchia ka kuptimin “kamare”).
Në këto dokumente shkruhet se në fshatin Niçë janë 56 familje të krishtere dhe 7 beqarë, gjithsej 63 subjekte që duhet të paguajnë taksa. Ndërsa nga regjistrimi i popullsisë të vitit1921-22 del se Niça ka patur 57 shtëpi me gjithsej 316 banorë të fesë së krishtere.
Pranë fshatit ka kaluar dikur një rrugë e vjetër, degë e rrugës Egnatia, që e lidhte atë me Voskopojën dhe Llëngën e kalonte më tej duke e lidhur me Beratin, Elbasanin e qytete të tjera. Prishja e qytetit të Voskopojës ndikoi për keq dhe në ekonominë e këtij fshati në të cilin ishin zhvilluar edhe mjaft zejtaritë e ndryshme, si dhe ka patur hane ku kalonin natën ose pushonin udhëtarët e karvaneve. Në ato kohëra të turbullta e të pasigurta, mjaft familje nga Niça u larguan nga fshati dhe u vendosën në vendbanime të tjera edhe në Tiranë dhe Elbasan.
Në një artikull nga Mihal Hodbari, “Tirana dhe banorët e saj të hershëm arumunë”, botuar në librin “Arumunët e Shqipërisë”, përmendet se nga fundi í shekullit të 18-të shumë familje arumune, sidomos nga Niça dhe nga Llënga, u vendosën me banim në Tiranë. Në artikullin e tij thuhet: “Në zonën pranë Pazarit të Ri të sotëm “Te Pisha” u vendosën shumë familje arumune, të cilat pothuaj vinin nga Niça e Mokra. Kështu u formua “Mëhalla e Niçiotëve”. Të tjerë arumunë u vendosën në zonën e Shallvareve”. Në një material tjetër përmendet se një lagje e veçantë në këtë kohë është krijuar edhe në qytetin e Elbasanit, të cilës í theshin “Tënëçioc”, ose “Nëçioc”. Në këtë libër përmendet se të dy kishat ortodokse, e Shën Prokopit dhe e Vangjelizmoit në Tiranë, janë ndërtuar me kontributin e bashkësisë arumune të Tiranës.
Thuhet se fshati i vjetër ka qënë më afër urës shumë të vjetër me hark (që lidhte dy brigjet e një përroi), mbi të cilën kalonte rruga e vjetër. Për këtë urë, në krahinë këndohej “Balada e murosjes”,ashtu si dhe për kalanë e Rozafatit. Vendi ku ka qenë fshati í vjetër quhet “Murishë”, sepse atje ndodhen mbeturinat e themeleve të mureve të ndërtesave të vjetra.



Niça ka pasur dy kisha:
1. Shën e Premte
Kisha ndodhet në verilindje të fshatit, e tipit bizantin dhe është rindërtuar në vitin 1845.
2. Shën Mëri
Kjo është kisha më e vjetër. Ndodhej afër përroit të fshatit. Në dokumentet e At Todi Jovanit rezulton se është ndërtuar në vitet 1500.
Në Niçë ka punuar si prift edhe Papa Risto Kuteli, i cili kishte ardhur në Pogradec nga qyteti i Artës. Më parë ai kishte qënë prift në Manastirin e Shën Naumit. Nga tre djemtë e tij, Nikolla u bë prift dhe njëkohësisht ishte iniciatori i ndërtimit dhe prifti i parë i kishës “Fjetja e Shën Mërisë” të Pogradecit.
Kisha e Shën Prokopit në Tiranë
Në artikullin “Edhe një herë nëpër rrjedhat e Historisë së Llëngës, me autor Llazi Tona, botuar në gazetën “Mokra” Prill 2001, bëhet fjalë edhe për kishën e Shën Prokopit në Tiranë. Autori, duke u bazuar në Kodikun e kishës së Shën Prokopit të Tiranës (1818 – 1920) përmendën se në këtë kodik ishte shkruar:
“2 Më 1769 u prish Voskopoja, e cila gjatë atij shekulli kishte arritur një zhvillim të dukshëm. U prish Llënga, Niça, Shipska e Grabova me një zhvillim të mirë ekonomik e kulturor të dukshëm. Mjaft familje nga këto qyteza si: Voillat, Findikët, Nika, Pano, Shundi, Mara, Koja, Nishku e tj. u vendosën në Tiranë. Një pjesë e këtyre familjeve kishin zënë vend te “Pisha”, që ndodhet rreth “Pazarit të Ri” dhe, meqenëse ishin nga Niça e Mokrës, mëhalla mori emrin “E niçiotëve”. Disa të tjerë që ishin rrobaqepës, shajakpunues, tregtarë, muratorë e marangozë të ardhur nga Llënga, zunë vend tek Shallvaret e formuan lagjen e “Shallvareve”. Në Tiranë në këtë kohë u vendosën jovetëm të ardhur nga Llënga e Niça, por edhe nga Voskopoja, Grabova, Shipska etj.
Ngulitja e këtyre banorëve në Tiranë ndryshuan krejtësisht karakterin e thjeshtë të Bashkësisë Ortodokse të Tiranës. Banorët e sapovajtur atje qenë në shumicë zejtarë. Ata vendosën të ndërtojnë një kishë, kishën e Shën Prokopit. Në Kodikun e kishës për vitin 1834 figuron e hedhur lista e ndihmëtarëve që kishin dhënë kontributin e tyre për ndërtimin e kishës së Shën Prokopit. Në këtë kodik figurojnë edhe emrat e zejtarëve të Llëngës si: Naun Zgalla, Ndrio Buzaku, Nikolla Gugushi, Stavri Kali, Thoma Dimiroçi, Nikolla Pano, Pandeli Shundi e tj. të ardhur nga krahina të tjera.
Sipas Kodikut të Shën Prokopit, më 1767, në kohën kur po formohej bashkësia ortodokse e Tiranës, u shpall “Mitropolia e Gorë-Mokër dhe e Durrësit” duke pasur në vartësi ortodoksinë e rretheve të Durrësit, ku përfshihej edhe Tirana, Elbasani, Kavaja dhe Pogradeci.
Nga Gjergji Gusho