FSHINJËSIA Kjo kokëçarje e ëmbël
Në rrugën “Nelson Str. 17”, në qytezën tipike tradicionale angleze, nuk munda dot kurrë edhe pas një jetese të gjatë të bëja fshinjësi me një nga qindra banorët e bllokut të pallateve dy-katëshe me tulla. Ndjenja e pasigurisë e të qënit vetëm, privimi i trokiturit të një derë pa kokëçarje, ishte e papërballueshme.

Kur vendosëm familjarisht të riktheheshim në Shqipëri, jetesës së dikurshme dhe apartamentit e lagjes së vjetër, ma aq kërshëri diktoja sjelljen sociale që nuk ia kisha vënë veshin para se të emigroja. Muajt e parë ishin aq të ëmbla, aqsa më dhembnin nofullat nga të folurit me ngazëllim, të njohur e të panjohuri.
Vura ré sesi gratë e mëhallës lëvizin lart e poshtë me pjata e trasta tek shtëpitë e njëra-tjetrës. E ç’nuk shkëmbejnë ato me njëra-tjetrën: që nga glikotë, reçelët, kekët e byrekët, buka e bërë vetë, ndonjë gatim nga ato të parat, jeshillëllëqet e bahçes, etj.
E kur i thashë njërës prej tyre, në muhabet e sipër, pa menduar: “Ç’më ka vajtur mendja për një copë byrek”. Të nesërmen më erdhën dy copa të mëdha bashkë dhe me një kavanoz dhallë. Si njeri që entuziazmohet lehtë nga gjestet e mira, m’u duk e adhurueshme ky sens i lart komuniteti.
Por gjithsesi, pata vetëm dëshirë t’i shoh kështu me njëra-tjetrën, gratë e lagjes, dhe, refuzova sjellshëm e me takt çdo tentativë të tyre për marrdhënie intensive. Nuk është veçse çështje kohe. Nuk munda të heq dorë kollaj nga rutinën time vetmitare, të cilën e shijoj pafund për të bërë gjërat që më pëlqejnë. Ndjesia se ato janë aty për t’ua trokitur derën, sa herë doja, ishte fantastike dhe aq mjaftonte.
Dalëngadalë, fillova të mërzitem pak me ndërhyrjet e pavendta e idhnake. Fakti që nuk i dolën askujt llogaritë e inisiativës sime për të sjell në jetë fëmijën e tretë, më tronditi. Ja kështu, kaq u desh të më rihapeshin kujtime jo fort të dashura nga lagja e vjetër.
Shpesh më bie ndërmend gjenerata e prindërve tanë apo gjyshërve tek rrëfejnë që ata vetë asqë e konceptonin dot ta ndërtonin jetën të ndarë nga komshinjtë e tyre, pa qënë pjesë e halleve e gëzimeve së lagjes së madhe. Madje as që i shqetësonte detyrimi për sqarime të hollësishme për gjëra banale.
Por edhe ata vetë me shumë nostalgji kujtojnë se fshinjësia e solidariteti i dikurshëm nuk është më. Fjala bie, i gjithë fshati do t’i përvishej punës për të ndërtuar shtëpitë e njëri-tjetrit sipas nevojës e mundësisë. Ndërsa sot me sforco do të ngrihet edhe një kat më lart vila sepse komshiu e bëri këtë vitin që shkoi.
Si atëherë, kur e gjithë lagja u mblodh tek vinçi që rrëzoi shtëpinë 70-vjeçare të familjes, bashkë me atë të renë, për t’u zgjeruar rruga. Porse asnjë fytyrë prej tyre nuk u duk akëkund në mbështetje morale, në prapavijë, të protestës sonë modeste për shpërblim të drejt.
Megjithatë, kudo e kurdo jeta në komunitet ka ulje-ngritjet e saja. Pas dyerve të shtëpisë së çdo blloku, lagjeje të re ose të vjetër, qyteze apo fshati, askush nuk e imagjinon dot jeten i vetëm. Në këtë amalgramë përfitimesh e kokëçarjesh, qejfmbetjesh e kënaqësish, na bie ndërmend se është kaq komplekse të jesh një qenie njerëzore, pjesë e pandashme e së tërës.
Duaje komshiun porsi veten por lëre gardhin në këmbë.
Carl Sandburg