Forca që buron nga lidhja që kemi me njëri-tjetrin
Zakonisht, konfliktet në shoqëri lindin sepse grupe të caktuara e ndiejnë veten të përjashtuar nga statusi që rrjedh nga kamja, pushteti dhe prestigji. Në këtë vend, të paktën dekadat e fundit, bindshëm besohet se pushteti dhe fuqia që vjen prej politikës është më dominuesja.
Me to vijnë gjithë të mirat për të përzgjedhurit e politikës, fatlumët që e kanë risk t’u serviret kaposhi një thelë. Por, për qytetarin e devotshëm, atë që ende i mban shpresat “në bërjen” e këtij vendi, i rifillojnë andrallat e pafuqisë për të kërkuar llogari fill pas kryqit të qëndisur në fletën e votimit. Edhe pse kanë bërë zgjedhjen më pak të keqe të mundshme.
Afërmendsh, prej pushtetit politik marrin jetë e legjitimohen edhe minipushtetet e tjera, në mënyrë që njeriu i zakonshëm të bindet urtë e butë se gjithçka është për të mirën e tij. Mediat, që keqinformojnë e kontrollojnë çfarë diskutohet, multikompanitë që i kanë zët sipërmarrjet familjare e zhvillimin lokal, firmat tenderuese që vjedhin pa hesap, të afërm e farefis të pushtetarëve që zaptojnë çdo mundësi; janë veçse pak nga tabloja se si fuqia nuk qëndron më te ne.
Porse historikisht, legjitimimi i luftës për pushtet nuk ka qenë asnjëherë i përhershëm dhe kjo në mungesë të pikave të tij të dobëta. Ushqimi i përhershëm me teori, opinione, filozofi e bindje publike për të na formësuar besimin mbi forcën e pushtetit që ne si individë zotërojmë, si qenie e vetme apo si pjesë e një komuniteti, është veçse një opinion “ready-made” i atyre që ushtrojnë pushtet të vazhdueshëm mbi ne, të zakonshmit.
Fuqia jonë si njerëz të zakonshëm qëndron në aftësinë e të bërit rezistencë ndaj këtij përcaktimi që na bëhet apo edhe rebelimi për t’u zënë në kurth, apo më keq: të fshihemi nën frikën e të qenit i dobët. Për të rrokur një çështje që na prek interesin personal duhet të arrijmë doemos në pikën e të menduarit se me kë tjetër mund të ndajmë të njëjtin interes e që mund të bëhet forca jonë. Të kuptojmë se përbërësi thelbësor i fuqisë individuale është solidariteti: aftësia për të mos u privuar nga ndarja e të mirave, qëllimeve, interesave dhe shqetësimeve të përbashkëta.
Kjo lloj simbioze në lidhjen mes banorëve të një komuniteti është forma që merr fuqia e një individi, e të gjithë njerëzve së bashku, jo vetëm për të ndërtuar ndjenjën e unitetit, por edhe për të ndarë vizionin se bashkimi gjithmonë bën fuqinë. Politika qëllimisht ka tentuar e ia ka dalë të përçajë me një sërë mekanizmash të sofistikuar, ndjenjën e solidaritetit e të të zgjidhurit të gjërave bashkarisht nga komuniteti duke përmbushur kështu individualisht interesat personale të njerëzve të zakonshëm.
Ndaj vlen më shumë të jemi optimist, apo më mirë akoma, absolutisht optimist se fuqia jonë varet kryekëput nga lidhja që ne kemi me njëri-tjetrin në komunitetin ku banojmë. Nuk është aspak slogan romantik të thuhet se t’i shtosh fuqi komunitetit varet potencialisht nga besimi te fuqia jonë si individë, e cila vlen në vullnetin për t’u bërë bashkë, në fuqinë më të madhe që kemi në dorë, që jo domosdoshmërisht vjen nga politika, siç rëndom besohet.