Gerta Loku Tushaj
Një zë brishtak buçet nga mali…
Shumëkush e mban mend fjalimin e Gertës në foltoren e parlamentit shqiptar në vitin 2017. Në atë sallë zëri i saj i brishtë gjëmoi vendçe të vërteta nën peshën e emocioneve për të sjellë në vëmendje një copës të harruar Shqipërie. Ai zë ishte një puhizë ajri në gjithë plehun e fjalëve zënë dregëz në çdo mobilje të mundshme të asaj salle llogjesh, ku zotimet mbeten në amulli.
Gerta nuk bëri asgjë veçse solli disa të vërteta nga fshati i saj, fshatrat e Shqipërisë. Kërkoi pak përgjegjësi dhe empati. T’i jepnin fshatit të saj dhe gjithë fshatrave të tjerë ujë e rrugë. Pak vëmendje. Kërkesa minimale për një jetesë të denjë për të gjithë ata të cilët jo për zgjedhje por për zgjidhje e kanë të lidhur ngushtësisht jetën me fshatin shqiptar të pa ngritur krye në dekada.

Fshati ka nevojë të rilindet. Informacioni është bazë e zhvillimit. Le të vishemi bukur sa të duam, por pa fshat nuk ka qytet të zhvilluar. Po nuk na zhvilluat ne, ju nuk keni si të zhvilloheni. Nga Mirdita ime zhvillohet Tirana juaj dhe jo e kundërta. Se çfarë do të bëhet, do ta shohim në vijim, unë jam aty dhe pres. Ta mbështesim fermerin e ri që me shumë vështirësi çon përpara fermën, ta mbështesim fshatarin, që ndoshta nuk ka dashur ta braktisë fshatin. Ejani ta shikoni fshatin, nuk ka vend ku hahet më mirë. Në doni bukë e zemër të bardhë, ejani në fshat. Jepini ujë dhe rrugë fshatit dhe i keni dhënë zhvillim, nuk kërkojmë asgjë tjetër”
Gerta Loku Tushaj
Gerta mbetet serish e gjithmonë një zë i furishëm aq sa rrjetet sociale mundësojnë për të shprehur shqetësime e ngritur zërin për problematika të ndryshme. Janë të shumtë ata që e ndjekin dhe që frymëzohen prej saj. Ka të tjerë që besojnë se ky vend i vogël mund të bëhen përmes njerëzve të zakonshëm por me vlera të jashtëzakonshme. Njerëz porsi Gerta, që kanë potencialin, mendësinë, vizionin dhe dashurinë për vendin e që të mirën individuale nuk mund ta ndajnë nga e mira kolektive.
Vajza mirditore, e arsimuar në universitetin prestigjoz “La Sapienza”, pa pikën e dyshimit mund të ishte një aset i çmuar kontributi komunitar për krahinën e saj nëse do t’i mundësohej një hapësirë ku mund t’i bënte qjërat ndryshe. Padyshim shumë më mirë sepse krahina do të kish një zë të fortë dhe të drejtpërdrejtë. Banorët vendas do të kishin dikë që beson se bota mund të ndryshohej edhe me gjeste të vogla empatie dhe vizioni.
Megjithatë të aftët dhe të sprovuarit arrijnë mirë të gjejnë veten në mospërbishtjen e zotimit për t’ia dalë jo vetëm t’i shërbejnë vetes; familjes por edhe komunitetit me sipërmarrjet e tyre. Ndaj puna e Gertës dhe të ngjashmëve të saj, është një inkurajim sesi mund të arrihet, ndoshta me shumë mund se zakonisht, t’i gëzohesh fryteve të sakrificës së atyre ëndrrave lidhur pazgjidhmërisht ngushtë me fatin e vendit. Kjo duke mos iu dorëzuar në asnjë moment pendimit të kthimit në Shqipëri.
E sidoqoftë për të gjithë ata skeptikë të pandreqshëm që lëkunden në besimin se ribërja, ripërtëritja, rindërtimi, refromimi këtij vendi nuk është i pamundshëm më në këtë vend, Gerta na jep një mësim të mirë të gjithëve. Ajo qartazi dëshmon e rebelon përmes shpresës së vërtetë paçka se vendi dergjet në lëngatën e njerëzve të larguar dhe atyre që zotohen foltoresh me mjeshtëri mashtrimesh. Ajo shpresë ngadhënjen përmes njerëzve të zakonshëm të punës së nderit e djersës, të atyre që mes rropatjes së vëshirësisë së ditës nuk rreshtin së ëndërruari Shqipërinë një vend më të mirë. Pak më të mirë!