Helena Norberg-Hodge / Një ekonomi për komunitetin
Helena Norberg-Hodge është aktivistja dhe themeluesja e “Local Futures” dhe pionerja e lëvizjes “New Economy”, sipërmarrje që promovojnë ekonominë lokale, mirëqenien sociale dhe ekologjike prej më shumë se 30 vitesh. Ajo është producente e filmit-dokumentar “The Economics of Happiness” (Ekonomiksi i lumturisë) dhe autore e një sërë librash që kanë si subjekte nxjerrjen në pah të kostove shoqërore, shpirtërore e ekologjike të globalizimit, si dhe të rëndësisë së rindërtimit të ekonomisë lokale ndër komunitete.
Ajo ligjëron në shtatë gjuhë të botës, anekënd globit, dhe është shfaqur në mjaft media prestigjioze për të përcjellë leksionet e saj. Është nderuar me çmimin “Right Livelihood Award” (Çmimi për Jetesën e Drejtë) dhe në vitin 2012 Goi Peace Prize (Çmimi Goi i Paqes) për kontributin e saj në rijetëzimin e diversitetit kulturor e shumëllojshmërisë biologjike, forcimin e komuniteteve lokale dhe të ekonomisë anembanë globit.
Ishte një udhëtim më 1975 në Ladakh, një komunitet i vogël në Himalajë, ai që e bindi Helenën t’ia kushtonte gjithë jetën dhe sipërmarrjet e saj forcimit të komuniteteve të vogla dhe të ekonomisë lokale. Për gati 15 vjet rresht, çdo vit Helena jetonte gjashtë muaj atje, si një mënyrë për të studiuar këtë komunitet të vogël dhe njëkohësisht për të ndihmuar prosperimin e banorëve në Ladakh me projekte të ndryshme. Kjo përvojë ndikoi mjaft në mënyrën se si do ta perceptonte ekonominë në vijim. Kështu nisi rrugëtimi i saj për të advokuar mbi rëndësinë e lokalizimit të ekonomisë, një sistem i cili duhet të funksiononte në të mirën e njerëzve të zakonshëm, të komuniteteve dhe duke respektuar mjedisin.
“Shoqëria duhet t’u japë formë sipërmarrjeve të biznesit, dhe jo biznesi shoqërisë.” Kjo është kryefjala e ligjërimeve të saj, ku diskursi publik bie mbi rëndësinë për të qenë jo vetëm të fokusuar në shifrat e larta ekonomike për shkak të globalizimit të ekonomisë, por edhe tek e njerëzishmja, nevojat që ka njeriu për një jetë të denjë e në harmoni me veten dhe natyrën. Çështja që Norberg-Hodge trajton nuk është e një niveli sipërfaqësor.
Përkundrazi! Ashtu si Don Kishoti në luftë me mullinjtë e erës, edhe ajo kërkonte që aktivizmin e saj ta niste me të rinjtë, sepse mendonte se ishin të parët që arsimi i influencuar nga kultura perëndimore do t’i izolonte nga kultura dhe e natyrshmja e komunitetit nga vijnë. Norberg-Hodge këmbënguli fort t’i bënte të rinjtë në Ladakh ta kuptonin e t’i shmangeshin farsës së lakmisë e së kënaqësisë së konsumimit masiv e të panevojshëm, si një mënyrë për të kënaqur prirjen e brendshme njerëzore për t’u pranuar, admiruar dhe dashur prej të tjerëve.
Praktikisht aktivizmi i saj sjell në vëmendje efektet e papërshtatshme, ndonjëherë tejet negative e shkatërruese që ka kultura perëndimore mbi ekonomitë e brishta të vendeve më pak të zhvilluara dhe te komunitetet e vogla, veçanërisht te bujqit e vegjël. Konkretisht gjithçka që është vendase, lokale apo tradicionale, nëse krahasohet me kulturën perëndimore, shihet nga vendasit me nënvlerësim, duke u cilësuar si e dalë mode shumë kohë më parë. Këtë fat pëson edhe ndërlidhja e banorëve me mjedisin, edhe njohuritë e përvojat e hershme që u kanë sjellë dobi për qindra mijëra vite.
Ndaj nisma e fundit e Norberg-Hodge mban emrin “The Global Ecovillage Network”, një nismë me 10.000 komunitete në mbarë botën që kanë vendosur të praktikojnë modelin e një komuniteti të fokusuar në lokalizimin e ekonomisë, por pa i prerë totalisht lidhjet me ekonominë globale. Aktivizmi kundra rrymës e eko-fshatrave të saj premton se nisma fare normale, si tregu lokal i prodhimeve ushqimore dhe promovimi i bujqësisë urbane apo i lagjeve që prodhojnë ushqim për qytetin, janë një mënyrë për të shkurtuar distancat e prodhimit dhe të shërbimit.
Pa dyshim për Helenën lokalizim i ekonomisë nuk do të thotë kurrsesi ekonomi e mbyllur. Është vetëm praktika e një ekonomie që merr në konsideratë mirëqenien e komunitetit: mundësinë e përfshirjes së banorëve të komunitetit në ekonomibërje. Pra, është absolutisht e nevojshme të rikuptohet rëndësia e kontributit të komunitetit për të përmbushur nevojat e tij, në mos të gjitha, të paktën disa prej tyre.
Çështja më urgjente sot, nuk është nëse njerëzit mund të blejnë portokaj në mot të ftohtë, por nëse gruri, vezët qumështi udhëtojnë mijëra kilometra kur mund të prodhohen jo më larg se 80 km nga vendi i shitjes. – Helena Norgerg-Hodge