Histori me gur lumi – Artisti që frymëzohet nga mitet, përrallat e tregimet e moçme shqiptare
Për më shumë se 17 vitesh Gani Çekrezi i është përkushtuar pasionit të penelave dhe ku në katër vitet e fundit “jetësimi” i gurëve është kthyer në mission. E gjitha fillon me udhëtimin e domosdoshëm në Devoll, Gjirin e Lalzit dhe bregun e lumit Erzen.
Duhet kohë për të hulumtuar e mbledhur vetëm gurët elegantë e të denjë për të përcjell një tablo vizuale të personazheve nga poemat e Migjenit, tregimet e Kutelit dhe ato satirike të Konicës. Për më tepër, nuk është rastësore përzgjedhja e materialeve kaq bazike si guri apo druri mbi të cilët punon Ganiu.
Me këto materiale përcillet në mënyrë më autentike dhe origjinale frymëzimi që vjen nga mitet, përrallat e tregimet e moçme shqiptare.Punët e përfunduara kanë gjithë komponentët e nevojshëm për të na gacmuar mjeshtërsiht kujtesën. Në ditët e sotme, kur duket se asnkush nuk e kursyjnë dëshirën për jetesë vanitoze alla frënga, arti në gurët e pikturuar ushqejnë dëshirën për rikthim tek tradita, emocioni i përjetuar nga rigjetja e vetvetes dhe reflektimit për të mos harruar.
Çka e bën më interesant këtë artist është sjellja në vemendje të heroit të heshtur e të vuajtur, fshatarit të humbur që për të pak ose aspak gjërat kanë ndryshuar. Gurët duket se njohin më mirë të përditshmerinë e artizanëve e punëve në qyteza apo fshatra, të gjitha këto të lëna në harresë.
Për më tepër Ganiu na dhuroi me artin e tij një mozaik aq original vlerash kombëtare duke përfshirë kostumet popullore, motive folkolorike, detaje të tjera artistike nga doket, zakonet, kultura e trevave shqiptare nga jugu në veri e diasporë.Është për tu admiruar puna e një të riu që me elegancë dhe kreativitet përcjell copëza nga jeta rurale duke rekur të përçoj nostalgji e krenari për traditën, asaj që nga rrënja na përket e na identifikon.
Duket se Ganiu ia ka arritur më së miri të tërheq vëmendjen nga zhurma e lodhshme e artit komercial që promovon shkrirjen në kulturën perëndimore apo asaj globale. Gurët e tij nuk bëjnë kompromis me trendin e kohës ato janë reliket e një toke të lashtë të denja për të përcjell të vertet artin dhe traditën.