Hotel Tradita – Të bujtësh mik në një hotel-muze
Hotel Tradita ose ndryshe Tradita Gegë dhe Toskë gjendet në qytetin e Shkodrës. E veçanta e këtij hoteli është se një shtëpi e vjetër tradicionale që daton nga viti 1694, nisi të restaurohej në vitin 2002 dhe në 2004 u hap si biznes. Idea ishte ruajtja e shtëpisë së vjetër shkodrane dhe e vlerave, të cilat Gjon Dukgilaj i shndërroi me sukses në një restorant, hotel dhe muze. Të cilat i menaxhon së bashku me bashkëshorten Monda Dukgilaj. Hotel Tradita është cilësuar unik në Ballkan nga revista National Geographic.

E ndërtuar me gurë dhe dru, pjesa e brendshme është e mobiluar dhe zbukuruar me objekte të vjetra autentike dhe kostume tradicionale. Me ndryshimin e stinëve ndryshon dhe hoteli, duke u kthyer në një muze ku klientët shijojnë atmosferën e kulturës dhe traditës shqiptare. Restoranti ofron ushqime tradicionale, ku përgatiten me mjeshtëri produktet vendase dhe sezonale të cilat shijohen si nga shqiptarët dhe nga vizitorët e huaj.

Klientët mund të lëvizin me biçikletë ose mund të organizohen ekskursione ku vizitojnë vendet e famshme dhe historike në Shkodër si fabrika tradicionale e maskave të karnavaleve, Kalaja e Rozafës, Liqeni i Shkodrës, Ura e Mesit e shumë të tjera.

Pavarësisht vështirësive që ka hasur si mirëmbajtja e shtëpisë së kthyer në hotel duke kombinuar sipas mundësive të vjetrën me të renë. Gjon Dukgilaj fokusohet te mirësia dhe vjen me një mesazh: Njerëzit që duan kulturën dhe traditën shqiptare, duan vetveten sepse gjejnë një pjesë të shpirtit dhe pjesëzave të gjyshërve, mikpritjen, aromat dhe shije që mbeten për shumë kohë.
Nga Aleksandra Stambolliu