Hudhra/Bima me fuqi magjike
Hudhra është një bimë barishtore njëvjeçare ose shumëvjeçare, me origjinë të hershme nga India ose vendet e Azisë Qendrore por tejet e kultivuar në të gjithë botën. Ajo përdoret gjerësisht në kuzhinën mesdhetare dhe atë orientale për të pasuruar shijen e gatimeve të ndryshme nëpërmjet shijes dhe aromës së saj karakteristike intensive. Në Shqipëri ajo nuk mungon pothuajse në asnjë shtëpi dhe përdoret gjerësisht në kuzhinën shqiptare.
Hudhra është përdorur nga njerëzit për më shumë se 5000 vjet. Përmendim këtu Sumerët e lashtë të cilët e përdorën atë gjerësisht pothuajse 4,000 vjet para Krishtit, si në dietën e përditshme ashtu edhe në ceremonitë fetare dhe për trajtime mjekësore. Në tekstet sanskrite është zbuluar se hudhra ishte përdorur edhe prej tyre në trajtimet mjekësore të kohës. Nga materialet të tjera të shkruara e të mbijetuara kohës, përmendim natyralistin romak Gaius Plinius Secundus (i quajtur Pliny Plak) i cili e përshkroi atë si shërimin e 61 problemeve të ndryshme shëndetësore.
Në Indinë e lashtë dhe Kinë, mjekët shpesh e administronin atë si mjekim ndaj sëmundjeve. Papirusi mjekësor egjiptian The Codex Ebers që daton rreth vitit 1500 para Krishtit, përmend 24 receta me bazë hudhër për dhimbje koke, dhimbje fyti dhe dobësi fizike. Në Greqinë e lashtë, nuset mbanin buqeta me erëza dhe hudhra në vend të luleve për të trembur e larguar shpirtrat e djallëzuar. Ata besonin se hudhra kishte fuqi magjike mbrojtëse dhe varnin gërsheta hudhre në shtëpitë dhe fushat e tyre për të larguar shpirtrat e këqij dhe për të parandaluar “syrin e keq”.