Fatlumët me pushtet
Ne, njerëzit lindim të pafuqishëm të gjithë. Në fillim varësohemi absolutisht nga përkujdesja e familjes sonë, e më pas e shoqërisë dhe qeverisë që na përket. Sigurisht që nuk mund të shmangim rrënjët, racën, gjuhën, gjininë, xhepat e ndonjëherë ndonjë fat të rënë prej qiellit; faktorë këta që na diktojnë rolin tonë në shoqëri e na ndihmojnë të kuptojmë nëse kemi ndopak pushtet në dorë apo jemi të sunduar totalisht.
“Korrupsion i moralshëm” e quan studiuesi Tim Dean fenominin se si gjithmonë ata që kanë pushtet, kanë edhe privilegjin të përcaktojnë përmes kodeve morale, rregulloreve deri te ligjet se ç’është e mirë e ç’është e keqe për t’u zbatuar nga masa e gjerë. Historia ka treguar se përgjithësisht në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, përfituesit e padiskutueshëm janë ata që ushtrojnë pushtetin. Janë po ata që zotërojnë ndikim te pjesa tjetër e shoqërisë.
Kështu, për shembull, autori i mësipërm i referohet rasteve kur Papa u lëshonte indulgjencat njerëzve të zakonshëm e kisha përfitonte. I referohet gjithashtu sistemit feudal, i cili i mëshonte virtytit të bindjes për të përfituar mbi punën e bujkrobërve apo si sistemi patriarkal e përcaktonte njerëzimin mbi termin e gjinisë, për të mos folur më pas për kapitalizmin modern, ku u hidhet hi syve punëmarrësve përmes mitit të meritokracisë e që puna e madhe e tyre, në mënyrë të anshme, pasuron e bën që përfitues të jenë po të pasurit.
Të qenurit në mënyrë sistematike me këtë fat do të thotë që ajo pjesë e vogël e shoqërisë zotëron pozitën e të ndarit të interesave të njëjta, preferenca me atë që është e pushtetshme, në rastin më të parë sot: qeverinë. Futja në linjën e pushtetit, me të drejtë e vendos elitën, apo një pjesë të vogël të shoqërisë, në pozitën e të menduarit të vetes të shkëputur nga realiteti i një komuniteti të tërë. Prej këtij fenomeni lind edhe aftësia e të bërit zgjedhje dhe zgjidhje të përfitueshme e padiskutim përjashton pjesën tjetër të mbetur jashtë sistemit.
Doemos, prej pushtetit të pabarabartë lindin aftësi, potenciale e shanse jo të njëjta. E nëse flasim për të zakonshmit, në shoqëri më pak egalitare e diskriminuese, padyshim aftësia për të ushtruar pushtet dhe influence, sigurisht që përshkallëzohet edhe për arsye të tjera të qenësishme e të pashmangshme si: arsimi, të ardhurat, statusi shoqëror, mënyra se si informacioni mund të aksesohet e të përvetësohet e për të mos folur më pas për prejardhjen, racën, gjuhën, gjininë dhe të ardhurat.
Pabarazia masive që ka kapluar shoqëritë sot është padyshim edhe më e dukshme falë edhe mediumeve apo rrjeteve sociale, paçka se nuk është gjithçka sikur duket. Por, megjithatë, në ajër ndihet gjithmonë e më shumë një frymë e re lëvizjeje për të çliruar veten nga të qenit sistematikisht të sunduar prej pushtetit aq sa është e mundshme me iniciativë personale e hera-herës kolektive. E në gjithë këtë gjueti pushteti, pothuaj nga të gjithë e kundër të gjithëve, disa do të mbeten fatlumët e të paturit më shumë pará, influencë e burime në krahasim me të tjerët. Të tjerët thjesht do ta pranojnë. Fuqia qëndron veçse tek ata që do të tranden e rebelohen.